Dukej se do të ishte njeriu i duhur për të kthyer Ferrarin në çatinë e botës, siç bëri idhulli i tij Michael Schumacher. Por Sebastian Vettel vetëm sa iu afrua titullit në Botërorin e Formula 1 me Kokëkuqen italiane pas 4 titujve të fituar me Red Bull.

Por kjo nuk është gjithçka, gjatë eksperiencës së tij me skuderinë nga Maranello, Vettel perjetoi nisjen e rënies së tij, gjë që e pohoi vetë gjermani në podcastin ‘Beyond the Grid’ i cili shtoi se e gjithë kjo nisi me ardhjen e Leclerc te Ferrari

Kur Leclerc erdhi te skuderia italiane në 2019, Vettel mburrej me një palmares të jashtëzakonshëm. ‘Fitimi i titullit në 2010 ishte kulmi im-tregon Vettel-më pas pata vite të tjera të një niveli të lartë. Edhe 2015 ishte një sezon shumë pozitiv, e njëjta gjë edhe për 2017 e 2018. Por, më pas në 2019 dhe gjatë vitit pasardhës isha në rënie. Tani mund ta them, nuk e kisha atë shtysën vendimtare’.

Në të njejtën kohë piloti gjerman e përshkruan veten si të fiksuar pas suksesit.

‘Të them të drejtën më interesonte vetëm të fitoja-vijon Vettel-doja trofeun më të madh, endërroja momentin e podiumit ku unë isha fitues. Ndiqja atë mendimin e të hënës: Fitova garën dhe ndihem shumë mirë. Kjo ndjesi nuk zgjat shumë dhe të detyron të fitosh akoma’

Një qasje kjo krejt e ndryshme nga ajo e shokut të tij të skuadrës, 10 vjet më i ri në moshë. I ardhur te Ferrari në moshën 22 vjeçare, Leclerc i përjetonte garat me një shpirt tjetër.

‘Charles kishte me të vërtetë shumë energji-thotë Vettel-kur renditeshim në vendin e pestë dhe të gjashtë, ai ishte entuziast për ato rezultate, sepse jetonte një fazë ndryshe të karrierës së tij. Ishte hera e parë e tij që garonte me një makinë kompetitive. Në atë moment nisa të ndjeja disa vështirësi më shumë’

Më pas erdhi viti 2020 që i dha një tjetër ndryshim karrierës së Sebastian Vettel. ‘Gjatë pauzës për shkak të pandemisë, përjetova një pushim fantastik sepse u argëtova shumë më familjen time-rrëfen Vettel-ndërsa fëmijët e mi rriteshin, unë nisa të kuptoj për problemet e botës dhe ndikimin e tyre te unë. Kështu nisa të reflektoj. Në atë pikë nuk isha më në majë’. Pas vitit 2020, Sebastian Vettel kaloi te Aston Martin duke garuar deri në vitin 2022, viti i tij i fundit në pistat e Botërorit të Formula 1.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB