Festa e Fundvitit, urimi i presidentit të FSHF, Duka: Mirënjohje për të gjithë ata që kontribuojnë në zhvillimin e futbollit shqiptar

31/12/2025 13:20

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, si çdo vit, ka bërë urimin e tij në prag të festës së fundvitit për të gjithë komunitetin e futbollit nëpërmjet një videomesazhi.

Në këtë fjalim të tij, Duka vlerësoi vitin 2025  duke e përkufizuar si historik për atë çfarë u arrit gjatë këtyre 12 muajve duke përmendur edhe organizimet e suksesshme si finalet e Euro U-17, mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s në Tiranë, si edhe kualifikimin historik të Kombëtares shqiptare në fazën play-off të Botërorit 2026. 

‘Në prag të ndërrimit të viteve, dua t’i drejtohem të gjithë komunitetit të futbollit shqiptar për të shprehur mirënjohjen time të sinqertë për një vit që do të mbetet gjatë në kujtesën tonë. Viti që po lëmë pas ka qenë një vit historik për futbollin shqiptar. Një vit ku puna, vizioni dhe përkushtimi u kthyen në rezultate konkrete. Në fushë, në organizim dhe në rritjen e gjithë sistemit tonë futbollistik.Shqipëria u konfirmua si një vend dhe partner i besueshëm për futbollin europian, duke pritur me sukses finalet e Kampionatit Europian U-17 dhe duke mikpritur për herë të parë në Tiranë Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s. Këto ngjarje treguan se futbolli ynë ka arritur një nivel të ri profesionalizmi dhe organizimi. Emocionet më të forta na i dhuroi Kombëtarja, e cila për herë të parë në histori siguroi kualifikimin në fazën play-off të Botërorit 2026. Një arritje që na bëri krenarë dhe që dëshmon se ëndrrat e mëdha janë të arritshme kur punohet me seriozitet dhe besim. Uroj shumë që ky rrugëtim i bukur të kurorëzohet me kualifikimin për herë të parë në finalet e Botërorit-tha presidenti Duka 

Po kështu ai shprehu mirënjohjen edhe ndaj të gjithë atyre që kanë dhënë kontributin në zhvillimin e futbollit në Shqipëri

‘Gjatë këtij viti kemi vijuar të investojmë në bazat e së ardhmes: në fëmijët dhe të rinjtë, në futbollin e vajzave, në infrastrukturë dhe në mbështetjen e klubeve. Futbolli shqiptar po rritet në numra, në cilësi dhe në ndikim shoqëror. Dua të falënderoj nga zemra të gjithë ata që kontribuojnë çdo ditë në këtë rrugëtim: futbollistët, trajnerët, arbitrat, drejtuesit e klubeve, stafet teknike, administratën e FSHF-së, partnerët tanë, institucionet shtetërore, qeverinë shqiptare për ndihmën e madhe dhe mbështetjen e tyre Me këtë frymë pozitive, hyjmë në vitin 2026 me ambicie të forta për të bërë akoma më shumë, për ta çuar më përpara futbollin shqiptar dhe me një ëndërr të madhe: të jemi pjesë e Botërorit 2026, Ju uroj të gjithëve:Gëzuar Festat, Gëzuar Vitin e Ri. Dhe një vit sa më të mbarë!”-përfundoi mesazhin e tij kreu i qeverisë së futbollit shqiptar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB