Kishte disa muaj pa skuadër, Miralem Pjanic var këpucët në gozhdë në moshën 35 vjeçare
Pierre-Emerick Aubameyang ka lënë menjëherë Kupën e Kombeve të Afrikës, pavarësisht se kombëtarja e Gabonit ka ende një ndeshje të mbetur në fazën e grupeve.
Sulmuesi 36-vjeçar, ish-yll i Arsenalit, u aktivizua për 57 minuta nga stoli në ndeshjen hapëse të turneut, humbje 1-0 ndaj Kamerunit, ndërsa luajti 90 minuta në disfatën 3-2 kundër Mozambikut, ku edhe realizoi një gol. Dy humbjet i dhanë fund herët rrugëtimit të Gabonit në Afcon.
Pas këtyre rezultateve zhgënjyese, Aubameyang është kthyer në Francë për t’iu bashkuar skuadrës së tij Marseille, duke humbur kështu ndeshjen e fundit të grupit ndaj kampionëve në fuqi të Bregut të Fildishtë, që zhvillohet nesër.
Aubameyang kishte pësuar një dëmtim në kofshë në prag të turneut, çka bëri që ai të niste nga stoli ndeshjen e parë të Gabonit. Federata e Futbollit të Gabonit konfirmoi përmes një deklarate zyrtare se lojtari po rikthehet te klubi për ekzaminime mjekësore, pas shqetësimeve të ndjera në kofshën e majtë pas përballjes me Mozambikun.
“Duke ndjekur protokollin mjekësor të vendosur mes stafit mjekësor të Marseille dhe atij të Gabonit për Pierre-Emerick Aubameyang, janë kryer ekzaminime klinike të përditshme,” thuhet në deklaratë.
“Kontrolli i fundit konfirmoi shqetësimet e ndjera në kofshën e majtë një ditë pas ndeshjes Gabon–Mozambik. Duke marrë parasysh rezultatet zhgënjyese që i dhanë fund pjesëmarrjes së Gabonit, stafi mjekësor, në konsultim me klubin, vendosi të mbrojë gjendjen fizike të lojtarit duke e përjashtuar nga ndeshja e fundit, e cila nuk ka ndikim.”
Në moshën 36-vjeçare, kjo Kupë e Kombeve të Afrikës mund të ketë qenë turneu i fundit madhor me kombëtaren për ish-sulmuesin e Borussia Dortmund dhe Arsenalit.
Top Channel