“Piter Pan” në cirkun kombëtar, premiera për festat e fundvitit që argëton të gjithë familjen

30/12/2025 20:22

Cirku Kombëtar ofroi këtë fundvit një premierë të veçantë që argëton të gjithë familjen, “Piter Pan dhe aventurat në Ishullin e Kërkundit”.

Trupa profesioniste përfshiu publikun në një udhëtim magjik mes fantazisë, guximit dhe ëndrrave që nuk plaken kurrë.

“Ne jemi rritur me Piter Panin, është një personazh i dashur për të gjithë. Vjen për herë të parë si vepër e plotë në cirk, ka risi, teknologji. Jam e lumtur që publiku ka rikthyer vëmendjen te Cirku Kombëtar që po kalon një periudhë tranzitore derisa të ketë shtëpinë e vetë”, tha Alketa Haxhiu-mjeshtre..

“Është bërë një punë shumë e madhe nga i gjithë stafi i Cirkut Kombëtar, ishte privilegj për mua të luaja në këtë shfaqje“, deklaroi Rubin Zuna-akrobat.

Me një skenografi e kostumografi të pasur, për 50 minuta artdashësit bëhen pjesë e një rrëfimi skenik që ndërthur teatrin, muzikën, koreografinë e akrobacinë.

“Jam shumë e lumtur që jam pjesë e Cirkut Kombëtar dhe që për një kohë të shkurtër, m’u dha ky rol kryesor. Më pëlqeu shumë roli, jam përpjekur ta interpretoj sa më mirë”, tha Aria Daja-akrobate, në rolin e “Piter Pan”.

“Është një punë disa mujore që artistët e kanë realizuar me shumë profesionalizëm. Është sfidë sepse sa mbyllet një skenë, artistët duhet të bëhen gati për skenën tjetër, por ia kanë dalë më së miri”, tha Brunilda Demollari-mjeshtre.

Në mungesë të një skenë të vetën, premiera e Piter Panit u mirëprit në ambientet e Teatrit Kombëtar, ku pritet të rikthehet sërish në fillim të janarit.

“Skena e Teatrit Kombëtar është më e përshtatshme në krahasim me skenat e tjera ku ne po debutojmë”, u shpreh Alketa Haxhiu-mjeshtre.

“Piter Pan dhe aventurat në Ishullin e Kërkundit” është një shfaqje për këdo që ende beson se mund të fluturojë, sepse, thellë-thellë… të gjithë nga pak jemi Piter Pan!”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB