Një donacion i bërë nga Kylian Mbappe pas Kupës së Botës 2022 ka çuar në largimin nga detyra të një oficeri të lartë policie, përgjegjës për sigurinë e ekipit kombëtar francez të futbollit.

Oficeri, i cili kishte rol kyç në mbrojtjen e lojtarëve të “Les Bleus” dhe ishte i afërt me familjen e Mbappe, mori në qershor 2023 një shumë prej 60.300 eurosh, e cila përfaqësonte bonusin personal të kapitenit francez nga Botërori në Katar.

Donacioni nuk u deklarua tek eprorët, duke sjellë ndërhyrjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Kombëtare (DGPN). Transaksioni u raportua një vit më vonë te Tracfin, njësia franceze e inteligjencës financiare, dhe çështja kaloi në hetim gjyqësor.

Edhe pse Inspektorati i Përgjithshëm i Policisë Kombëtare nuk propozoi fillimisht ndëshkim, autoritetet vendosën pensionimin e detyruar të oficerit më 20 dhjetor. Nga ana e tij, avokati i policit ka theksuar se donacioni ishte i ligjshëm dhe i bërë pa asnjë kusht, ndërsa ka paralajmëruar apelimin e vendimit.

Pavarësisht skandalit, ish-oficeri do të vazhdojë të jetë pjesë e futbollit francez, pasi është punësuar nga Federata Franceze e Futbollit (FFF) me kontratë të përkohshme deri në përfundim të Kupës së Botës 2026.

Burime pranë yllit të Real Madridit konfirmojnë se edhe katër zyrtarë të tjerë të stafit kishin marrë nga 30 mijë euro secili pas Botërorit, në një gjest mirënjohjeje nga Mbappe për kontributin e tyre gjatë turneut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB