Partizani vajton humbjen e një prej ikonave të tij në këto ditë të fundit të vitit. Është ndarë nga jeta pas në moshën 66 vjecare, Kristaq Eksarko i cili ka qenë pjesë e skuadrës së Të Kuqve në vitet 80.

Vetë klubi kryeqytetas bëri të ditur lajmin e hidhur nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale duke shprehur ngushëllimet familjes, të afërmve dhe të miqve të tij për këtë humbje të madhe.

Lamtumirë Kristaq Eksarko!

Familja e kuqe dhe futbolli shqiptar humbin një legjendë!

Me keqardhje të thellë përcjellim sot lajmin e ndarjes nga jeta në moshën 66 vjeçare të Kristaq Eksarkos. Ish mbrojtësi energjik i Partizanit dhe kombëtares shqiptare ka qenë pjesë e të kuqve për 7 vite në periudhën 1980 – 1987, duke fituar edhe një titull kampion të Shqipërisë me Partizanin.Eksarko do të mbahet mend në përballjet historike ndërkombëtare me Partizanin luajtur ndaj Austrisë së Vienës dhe suedezëve të Malmo. Me ekipin kombëtar Eksarko do të debutonte në vitin 1983 në ndeshjen ndaj Irlandës së Veriut në Belfast për kualifikueset e Euro 1984. Klubi i Futbollit Partizani dhe Presidenti Gazment Demi i përcjellin ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe miqve për këtë humbje të madhe.U prehsh në paqe legjenda jonë Kristaq Eksarko!-lexohej në komunikatën e Partizanit.

Për ndarjen nga jeta të ish futbollistit të Partizanit ka reaguar edhe presidenti i Federatës shqiptare të Futbollit, Armand Duka nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.

‘Një lajm shumë i trishtë për futbollin shqiptar në këtë fundvit. Ndarja nga jeta e Kristaq Eksarkos, ish-futbollist i Kombëtares dhe i Partizanit, është një humbje e madhe për komunitetin tonë. Kristaq Eksarko ishte pjesë e një brezi që la gjurmë në historinë e futbollit shqiptar. Ai kontribuoi me profesionalizëm dhe përkushtim si me fanellën e Kombëtares, ashtu edhe me atë të Partizanit. Dy tituj kampion dhe një Kupë Republike të fituara, si edhe paraqitjet e tij në ndeshje të rëndësishme ndërkombëtare, mbeten dëshmi e vlerave që ai përfaqësoi në fushë.Në këto momente të dhimbshme, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe gjithë komunitetin sportiv. Kujtimi i tij do të mbetet i gjallë në historinë e futbollit shqiptar-shkruante kreu i FSHF në postimin e tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB