Franco Mastantuono iu ofrua Napolit, por kampionët e Italisë e refuzuan; ja arsyet
Cristiano Ronaldo nuk pyet për vitet që i ikin dhe nuk ka ndërmend të mbyllë karrierën pa arritur në kuotën e 1000 golave të shënuar në karrierën e tij. Kapiteni i përfaqësueses portugeze që ka rinovuar me Al Nassr edhe për 2 vjet të tjerë, e pohoi këtë pas ceremonisë së ndarjes së çmimeve Globe Soccer Awards të zhvilluar pasditen e së dielës në Dubai.
‘Është e vështirë të vazhdoj të luaj, por unë jam i motivuar-tha Cristiano Ronaldo-pasioni im është shumë i madh dhe unë dua të vazhdoj. Nuk ka rëndësi ku luaj në Lindjen e Mesme apo Evropë, gjithnjë e shijoj futbollin dhe dua të vazhdoj kështu. Ju e dini cili është objektivim. Dua të fitoj trofe dhe të arrij në kuotën e 1000 golave. Do ta arrij këtë shifër, nëse nuk do të kem dëmtime’
Cristiano Ronaldo këtë sezon ka shënuar 13 gola në 14 ndeshje me Al Nassr që është në krye të klasifikimit me 4 pikë më shumë nga vendi i dytë. Pavarësisht se portugezi ka shënuar 112 gola në 125 ndeshje që nga momenti i transferimit në kampionatin arab të futbollit në 2022, Al Nassr ka fituar vetëm 1 trofe, Kupën e Kampioneve Arabe në 2023.
Cristiano Ronaldo mban rekordin si futbollisti me më shumë gola me përfaqësuesen me 143 gola me Portugalinë, po kështu ai ka shënuar 450 gola me Realin e Madridit dhe është futbollisti i vetëm që ka shënuar mbi 100 gola me 4 klube të ndryshme Manchester United, Real Madrid, Juventus dhe Al Nassr.
Në muajin nëntor, Ronaldo, që shumë shpejt do festojë 41 vjetorin e tij të lindjes deklaroi se Botërori i 2026 do të jetë turneu i tij i fundit ndërkombëtar. Me Portugalinë, Cristiano Ronaldo ka fituar Evropianin e 2016 në Francë dhe dy edicione të Nations League në 2019 dhe 2025.
Top Channel