Kanë kaluar tre vjet nga ndarja nga jeta e Pelé-së, ikonë absolute e futbollit botëror dhe një prej figurave më të mëdha sportive të të gjitha kohërave.

Edson Arantes do Nascimento u shua më 29 dhjetor 2022, në moshën 82-vjeçare, pas një beteje me kancerin, duke lënë pas një trashëgimi të pakrahasueshme në historinë e sportit.

Në një njoftim zyrtar, Konfederata Braziliane e Futbollit (CBF) e ka cilësuar Pelé-në si “Mbretin e futbollit” dhe lojtarin më të madh të të gjitha kohërave. “Me 1.282 gola të shënuar në 1.364 ndeshje, me talentin e tij të jashtëzakonshëm dhe zotërimin e plotë të çdo elementi të lojës, Pelé u ngjit përgjithmonë në fronin e sportit”, thuhet në deklaratë.

CBF ka kujtuar edhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm me Kombëtaren e Brazilit: 113 ndeshje, 84 fitore, 15 barazime, 14 humbje dhe 95 gola. Gjatë 14 viteve me fanellën e “canarinha”-s, nga 1957 deri në 1971, Pelé fitoi tri Kupa Bote (1958, 1962 dhe 1970), duke hyrë në histori që në moshën 17-vjeçare.

Edhe Santosi, klubi ku Pelé shkëlqeu për dekada, e ka përkujtuar këtë datë të veçantë. Me fanellën e Santosit, ai zhvilloi 1.116 ndeshje dhe realizoi 1.091 gola, shifra që flasin vetë për madhështinë e tij.

“Nga momenti i ndarjes së Mbretit nga jeta, CBF po punon që historia e Pelé-së të përjetësohet dhe t’u përcillet brezave të ardhshëm”, përfundon deklarata. Pelé nuk ishte vetëm një futbollist i madh, por një simbol global, emri i të cilit do të jetojë përgjithmonë.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB