Ndizet merkato e janarit/ E ardhmja e Vlahovic në “ajër”, Milani në horizont

27/12/2025 16:03

Janari shënon një moment kyç në tregun e futbollit europian, pasi shumë lojtarë me kontratë në skadencë më 30 qershor 2026 fitojnë të drejtën të negociojnë lirisht me klube të tjera.

Mes emrave më të mëdhenj që tërheqin vëmendjen është ai i Dusan Vlahovic, sulmuesi i Juventusit, i cili rrezikon të bëhet një nga rastet më të nxehta të merkatos.

Duke nisur nga 1 janari, rregulloret e FIFA-s u lejojnë futbollistëve, si në Itali ashtu edhe jashtë saj, të hapin bisedime dhe madje të firmosin parakontrata me skuadra të tjera, pa qenë e nevojshme që klubet aktuale të marrin kompensim për kartonin. Kjo situatë e vendos Juventusin përballë një dileme të rëndësishme në lidhje me të ardhmen e Vlahovic.

Sulmuesi serb mbetet një nga emrat më të lakmuar në Serie A dhe në tregun ndërkombëtar, falë moshës, potencialit dhe aftësisë së tij për të bërë diferencën në fazën ofensive. Nëse nuk arrihet një marrëveshje për rinovim, Vlahovic mund të largohet si lojtar i lirë, një skenar që do të përbënte një humbje të madhe ekonomike për bardhezinjtë, ndërsa për të ka shfaqur një interes të fortë Milani

Përveç Vlahovic, lista e lojtarëve me kontratë në skadencë përfshin edhe yje të tjerë të futbollit italian si Paulo Dybala, ndërsa në arenën ndërkombëtare spikat emri i Robert Lewandowski. Megjithatë, fokusi mbetet te sulmuesi i Juventusit, i cili pritet të jetë një nga protagonistët kryesorë të muajve të ardhshëm të merkatos.

Ditët në vijim do të jenë vendimtare për të kuptuar nëse Juventusi do të arrijë ta blindojë Vlahovic apo nëse sulmuesi do të nisë bisedimet për një aventurë të re, duke shfrytëzuar statusin e tij gjithnjë e më të afërt si lojtar i lirë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB