Nevoja për bilanc zero në merkaton e janarit mund të sjellë një mini-revolucion te Napoli.

Pas fitores së Superkupës Italiane, klubi dëshiron të mbajë nivelin maksimal të konkurrueshmërisë dhe për këtë arsye duhet të financojë afrimet që kërkon Antonio Conte. Plani i drejtuesve parashikon pesë lojtarë në dalje, por në këtë listë nuk përfshihet Romelu Lukaku, i cili ka refuzuar edhe një herë ofertat nga Arabia Saudite dhe është i vendosur të vazhdojë aventurën me fanellën blu.

Drejtori sportiv, Giovanni Manna, synon të largojë ata futbollistë që nuk po gjejnë hapësirë në skemat e Contes. Mes emrave në dalje janë Mazzocchi, që pëlqehet nga Sassuolo, Vergara, i ndjekur nga Cagliari dhe Lecce, si edhe Ambrosino. Edhe Marianucci, i blerë verën e kaluar për 9 milionë euro, mund të largohet, me Torinon si destinacion të mundshëm.

Më delikate është situata e Lorenzo Lucca-s. Sulmuesi ka pasur pak minuta dhe nuk ka bindur plotësisht, edhe gjatë mungesës së Lukakut. Juventusi ka kërkuar informacion për të, ndërsa në sfond shfaqet edhe West Ham. Megjithatë, investimi prej 35 milionë eurosh i bërë për ta marrë nga Udinese e bën vendimin për shitjen e tij më kompleks, sidomos pa pasur ende Lukakun në formën optimale.

Sa i përket vetë Lukakut, “Big Rom” ka thënë sërish jo Arabisë Saudite. Sulmuesi belg dëshiron vetëm të rikthehet sa më shpejt në fushë dhe të japë maksimumin për Conten dhe Napolin, duke shtyrë çdo diskutim tjetër për të ardhmen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB