Një ndeshje në Kupën e Italisë dhe derbi me Interin, në vetëm këto dy ndeshje në 4 muaj sezon, janë parë që Cristian Pulisic dhe Rafael Leao të luajnë së bashku që nga minuta e parë dhe ‘mallkimi’ mund të vijojë edhe këtë të dielë në ndeshjen ndaj Veronës sepse portugezi nuk luan që nga 8 dhjetori për shkak të një problemi muskular në aduktorin e djathtë dhe nuk është ende në 100% të formës edhe pse gjatë javës është stërvitur me pjesën tjetër të skuadrës.

Por, ditën e premte, Leao shfaqi një problem të vogël dhe asnjë në Milanello nuk dëshiron të rrezikojë. Me Fullkrug që u stërvit me skuadrën për herë të parë, por që ende nuk mund të grumbullohet, në ndeshjen ndaj Veronës, ai që do të luajë përkrah Pulisic me shumë mundësi do të jetë sërish Christopher Nkunku, për të cilin Milani në muajt e verës pagoi 37 milionë euro por që në këtë pjesë të parë të sezonit ai ka qenë një zhgënjim. Ish sulmuesi i Chelsea në këto muaj nuk ka bindur dhe te Milani po mendojnë seriozisht të rivlerësojnë pozicionin e tij dhe sipas ‘La Repubblica’ qëndrimi i tij te Milani është gjithnjë e më shumnë në dyshim dhe për të kanë filluar të dëgjohen sirenat e merkatos nga Turqia.

Gjithnjë sipas ‘La Repubblica’, në gjurmët e Nkunku janë vënë Galatasaray dhe Fenerbahçe dhe janë gati të ofrojnë para për të me Galatasaray që është në kërkim të një sulmuesi dhe që duket në avantazh kundrejt rivalëve të Fenerbahçe. Për të lejuar largimin e Nkunku, Milani kërkon 35 milionë euro, shifër që do t’i lejonte klubit kuqezi të regjistrojë një plusvalencë të vogël pas vetëm 6 muajsh kontratë dhe për këtë arsye, Tare në ditët e fundit ka hyrë në kontakte me klube nga kampionati arab i futbollit.

Nëse shitja e Nkunku do të realizohet, Milani do të mund të blejë një tjetër sulmues dhe për momentin në krye të listës së dëshirave është Gabriel Jesus i Arsenalit, por klubi vazhdon të monitorojë edhe Franculinon.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB