Sulm Krishtlindjesh me “shumë terroristë të ISIS të vdekur” në Nigeri, Trump: Do të ketë më shumë nëse masakra e të krishterëve vazhdon

26/12/2025 07:25

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se ushtria amerikane ka kryer një “sulm të fuqishëm dhe vdekjeprurës” kundër grupit ekstremist Shteti Islamik (ISIS) në shtetin Sokoto në Nigerinë veriperëndimore.

Ai e përshkroi ISIS-in si “llum terroristësh” që, sipas tij, “kanë shënjestruar dhe vrarë mizorisht, kryesisht të krishterë të pafajshëm”.

Komanda Amerikane e Afrikës (Africom) konfirmoi se goditjet ajrore u zhvilluan në koordinim me autoritetet nigeriane. Ministri i Jashtëm i Nigerisë, Yusuf Maitama Tuggar, tha për BBC-në se bëhej fjalë për një “operacion të përbashkët” kundër terroristëve, duke theksuar se ai “nuk lidhet me asnjë fe të caktuar”. Ai la të hapur mundësinë për operacione të tjera të përbashkëta, në varësi të vendimeve të ardhshme të dy qeverive.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, falënderoi qeverinë nigeriane për bashkëpunimin, ndërsa Departamenti amerikan i Mbrojtjes publikoi një video të shkurtër që tregonte lëshimin e një rakete nga një anije ushtarake.

Debati mbi pretendimet për shënjestrim të të krishterëve

Në postimet e tij, Trump ka përsëritur akuzat se të krishterët në Nigeri po përballen me persekutim të rëndë. Megjithatë, organizatat që monitorojnë dhunën në vend thonë se nuk ka prova që të krishterët po vriten në mënyrë disproporcionale krahasuar me myslimanët, në një vend ku dy besimet janë pothuajse të barabarta në numër.

Sipas të dhënave të ACLED, shumica e viktimave të sulmeve të grupeve xhihadiste si Boko Haram dhe ISIS-Provinca e Afrikës Perëndimore kanë qenë myslimanë. Në zonat qendrore të Nigerisë, konfliktet shpesh lidhen me përplasjet midis barinjve kryesisht myslimanë dhe komuniteteve bujqësore, ku shumë janë të krishterë, duke çuar në cikle dhune nga të dyja palët.

Qeveria e presidentit Bola Tinubu ka theksuar se çështjet e sigurisë prekin njerëzit “në të gjitha besimet dhe rajonet”, duke nënvizuar tolerancën fetare dhe nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar kundër ekstremizmit.

Operacione të tjera amerikane

Javën e kaluar, SHBA-të njoftuan gjithashtu një “sulm masiv” kundër objektivave të ISIS-it në Siri, ku u goditën më shumë se 70 shënjestra me avionë luftarakë, helikopterë dhe artileri, në operacione të mbështetura edhe nga Jordania.

Nigeria dhe SHBA thonë se mbeten të angazhuara në bashkëpunimin e sigurisë për të përballuar kërcënimin e vazhdueshëm nga grupet ekstremiste në rajon.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB