Mkhitaryan tregon prapaskenat te Interi: Ishim të thyer pas finales së Champions, Chivu na riktheu besimin pa fshirë punën e Inzaghit

26/12/2025 18:32

Nga vështirësitë pas finales së Ligës së Kampionëve te energjia e re e sjellë në stol nga Cristian Chivu.

Henrikh Mkhitaryan ka folur hapur për momentin e Interit, duke shpjeguar se si trajneri rumun arriti të rindërtojë besimin dhe mentalitetin fitues të skuadrës, pa përmbysur identitetin e ndërtuar ndër vite nga Simone Inzaghi.

Në një intervistë për Cronache di Spogliatoio, mesfushori armen ka analizuar fillimin e sezonit aktual, duke e cilësuar atë si një rrugëtim mes dritës dhe hijes.

“Fillimi nuk ishte i keq, por as perfekt. Sigurisht që mund të kishim bërë më shumë”, pranon Mkhitaryan. Megjithatë, ai thekson se objektivat mbeten të qarta: “Jemi në gjysmë të rrugës dhe gjithçka do të vlerësohet në fund. Interi ka detyrimin moral të synojë gjithmonë majën dhe të luftojë për çdo trofe.”

Një pjesë e madhe e reflektimit lidhet me sezonin e kaluar, i mbyllur me 63 ndeshje dhe me humbjen e dhimbshme në finalen e Ligës së Kampionëve. Një goditje që, sipas Mkhitaryan, la pasoja të thella mendore.

“Ishte një sezon shumë i gjatë. Skuadra ishte e rraskapitur mendërisht. Pas finales, si ne lojtarët ashtu edhe tifozët ishim të dëshpëruar. Zhgënjimi ishte i madh dhe e kuptuam se e kaluara nuk mund të ndryshohej”, shprehet ai.

Në këtë moment del në skenë Cristian Chivu, i cili mori drejtimin e ekipit në një fazë delikate. “Ai erdhi kur ne ishim të trishtuar. Por si ish-lojtar i nivelit të lartë, e dinte shumë mirë se çfarë po kalonim”, tregon Mkhitaryan.

Sipas tij, ndikimi i Chivu-së ka qenë më shumë psikologjik sesa taktik. “Na riktheu energjinë dhe besimin, duke na bërë të kuptojmë se e vetmja gjë që kemi nën kontroll është e ardhmja.” Trajneri rumun, thekson mesfushori, nuk tentoi një revolucion të menjëhershëm: “Ai nuk donte të fshinte katër vite pune. Kuptoi çfarë duhej ruajtur dhe çfarë duhej ndryshuar. Edhe pse kishte ide të ndryshme nga Inzaghi, arriti të na bashkojë.”

Në mbyllje, Mkhitaryan foli edhe për sfidën personale të vazhdimësisë në moshën 36-vjeçare. “Në futboll, ajo që bëre dje nuk ka rëndësi. Duhet të provosh veten çdo ditë”, thotë ai, duke theksuar rëndësinë e përulësisë, punës në grup dhe mbështetjes së stafit.

“Dua t’i jap Interit versionin më të mirë të vetes”, përfundon mesfushori armen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB