SPAK mbylli hetimet për ish-drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Agim Ismaili, i cili akuzohet për përgjim të paligjshëm, vepër e kryer në kuadër të një grupi kriminal. Ai u paraqit këtë të martë në Prokurorinë e Posaçme dhe qëndroi aty për rreth dy orë.

Sipas SPAK, Ismaili dyshohet se ka marrë në mënyrë të paligjshme informacione nga dosje hetimore nëpërmjet ndërhyrjeve në kompjuterët e disa punonjësve të sistemit të drejtësisë.

Hetimi ka zbuluar se janë hakeruar kompjuterët e tre prokurorëve, me qëllim sigurimin e të dhënave sekrete që ndodheshin nën administrimin e SPAK-ut.

Ngjarja u sinjalizua më 12 mars të këtij viti dhe hetimet çuan në arrestimin e dy personave: ish-zyrtarit të burgjeve, Zambak Gjoni, dhe ish-punonjësit të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, Arnold Rrokaj. Ky i fundit dyshohet se ka qenë personi që ka thyer kodet e sigurisë së kompjuterëve, ndërsa materialet e përftuara ia ka përcjellë fillimisht Gjonit, i cili më pas ia ka dërguar Ismailit.

Edhe ndaj Gjonit dhe Rrokajt, SPAK-u i ka përfunduar hetimet për të njëjtën vepër penale, përgjim i paligjshëm i kryer në kuadër të grupit kriminal. Më herët, akuzat u janë komunikuar edhe dy të arrestuarve të tjerë, Arnold Rrokaj, si dhe ish-zyrtarit të Burgut të Vlorës, Zambak Gjoni.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, hakerët kanë tentuar të marrin informacion nga kompjuterët e tre prokurorëve të posaçëm, Behar Dibra, Enkeleida Millonai dhe Elida Kaçkini. Megjithatë, nga verifikimet ka rezultuar se ata nuk kanë arritur të depërtojnë në sistemin e brendshëm të teknologjisë së informacionit të SPAK-ut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB