Ivan Gennaro Gattuso tregon muajt e tij të parë në pankinën e përfaqësueses italiane dhe këtë e bën në një intervistë të gjatë për kanalin zyrtar televiziv të Të Kaltërve, Vivo Azzurro ku përmendi edhe fazën e playoffit ku Italia do të përballet me Irlandën e Veriut.

‘Kur mora propozimin për t’u bërë trajneri i Italisë thashë menjëherë ‘po’, pa studiuar pro-të dhe kundra-t e kësaj zgjedhje-tha Gattuso-pranova dhe nuk pendohem, jam krenar që përfaqësoj vendin tim. Ndihem i privilegjuar, një njeri me shumë fat. Kam përgjegjësinë të drejtoj Kombëtaren Italiane dhe mendoj se miliona persona do të donin të ishin në vendin tim. Kam shumë përgjegjësi. Por, përgjegjësitë i kam pasur edhe kur isha vetëm 12 vjec; kur shkova në Perugia, isha në një dhomë dhe mendimi im ishte se nuk mund të kthehesha në shtëpi, përndryshe do të kisha dështuar. Prej një jete bashkëjetoj me presionet, shpresoj të jap maksimumin dhe bashkë me djemtë t’iu dhuroj gëzim një Italie të tërë’

Gjashtë ndeshje, 5 fitore dhe vetëm 1 humbje; ky është bilanci i 6 muajve të parë të Gattusos në pankinën e skuadrës 4 herë kampione të botës me teknikun që mori në dorëzim një skuadër të plagosur rëndë pas humbjes në Oslo me Norvegjine, por që e ngriti duke i kthyer identitetin dhe karakterin e fortë.

‘E dija që mora përsipër një përgjegjësi të madhe dhe që nuk ishte e lehtë, por duhet të themi se në 6 ndeshjet që luajtëm, përvec sfidës së fundit ku gabuam në pjesën e dytë, futbollistët dhanë gjithçka-vijoi Gattuso-skuadra gjithnjë ka qenë gati. Kam parë sjellje shumë pozitive, mentalitet pozitiv dhe një ndjenjë të fortë përkatësie. Gjeta një grup lojtarësh që po kërkojnë të japin gjithçka kanë, mendoj se kjo perceptohet’

Tani fokusi është i gjithi te faza e playoffit që do të jetë në muajin mars dhe ndeshja gjysmëfinale me Irlandën e Veriut

‘Nuk duhet të bëjmë të njëjtin gabim si 4 vjet më parë me Maqedoninë e Veriut-tha Gattuso-Futboli modern thotë se nuk ka më ndeshje të lehta, se  cdo kundërshtar mund të të vërë në vështirësi. E rëndësishme është të reagosh, të dish të reagosh, të mos e humbasësh toruan nëse ndodh diçka negative dhe të kesh vazhdimësi për të 90 minutat. Pas 3 muajsh do të luajmë për diçka të rëndësishme, i gjithë kombi na pret. Duhet qetësi, do të duhet të jemi me mentalitetin e duhur, me dashurinë për vendin që përfaqësojmë dhe për këtë fanelë. Duhet të jemi gati për atë që na pret’.

Për Gattuson, Botërori ku Italia mungon që nga 2014 është një obsesion

‘Kualifikimi në Botëror është obsesion, duhet të kthehemi atje ku kemi qenë për shumë vite edhe si protagonistë-tha Gattuso-duhet ta duam me cdo kusht, të mos nisim të shohim fantazmat e së kaluarës që në vështirësinë e parë’

Megjithatë për Gattuson është ende herët që të mendohet për Irlandën e Veriut dhe është më mirë që në këtë moment përqendrimi të jetë tek e tashmja

‘Duhet të jetoj ditën-tha trajneri i Italisë-nuk jam më Gattuso i një herë e një kohe, ai që kishte një objektiv dhe përgatitej vetëm për të. Sot jam një person ndryshe, bëj një punë krejt tjetër. Jam i pari që duhet të transmetoj qetësi, duhet të gaboj sa më pak të jetë e mundur dhe të bëj zgjedhjet e duhura. Nëse do të mendoja që tani për ndeshjen e marsit, nuk do të shkoja i kthjellët. Kthjelltësia dhe energjia sot duhet të jenë në atë që do të shohim, në atë që propozon futbolli ynë dhe zgjedhjet që duhet të bëjmë. Kur të shkojmë në Coverciano në ato 10 ditë do t’i dedikohemi përgatitjeve të ndeshjes sa më mirë që të jetë e mundur’.

Që nga ky moment deri në mars, Gattuso dhe asistentët e tij do të ndjekin me vëmendjen maksimale të gjithë futbollistët që mund të grumbullohen.

‘Do të jetoj këto 3 muaj duke punuar. Duke parë ndeshjet dhe duke folur me djemtë-tha Gattuso-flas shpesh me ta, jo vetëm me veterantë. Më pëlqen të komunikoj, jam në kontakt me ta’

Dhe duke qëndruar te futbollistët, Gattuso nuk harroi të vlerësojë forcën dhe disponibilitetin e tyre për të sakrifikuar.

‘Kemi futbollistë të fortë edhe pse është fakt që në kampionatin tonë ka pak lojtarë italianë-tha Gattuso-në këto muaj kam vlerësuar shumë sakrificat e bëra nga djemtë, kishte nga ata që nuk ndiheshin mirë, por që qëndruan gjatë gjithë kohës. Në karrierën time kam ardhur shumë herë me paterica në Coverciano. Është e drejtë kështu, një grup nuk krijohet me vetëm 3-4 ditë të kaluara së bashku’.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB