Një ditë pas protestës së parë kombëtare të opozitës që pas zgjedhjeve të 11 majit, kryetari I PD-së, Sali Berisha bëri thirrje për përshkallëzim të luftës.
Në një konferencë për shtyp së bashku me katër deputetë demokratë ku publikoi librin me prova për manipulimin e zgjedhjeve të përgjithshme, Berisha tha se qytetarët duhet të jenë gati për betejë.
“Duke falënderuar edhe njëherë me mirënjohjen më të madhe të gjithë ata të rinj, të reja, burra, gra, të moshuar, pensionistë që lanë çdo gjë dhe mbushën sheshin, i ftoj të jenë të gatshëm të përshkallëzojmë luftën, betejën tonë gjer në përmbushjen e misionit. Misioni ynë është largimi i kësaj qeverisje, qeveri teknike, zgjedhje të lira. Opozita në pushtet në mënyrë të pashmangshme”.
Duke folur për librin me fakte për zgjedhjet e 11 majit, ai tha se “Ky dokument i pashembullt në historinë e një farse elektorale në Europë dhe në botë, i hartuar me mbi 1500 faqe, dhe mbi 2 mijë e sa prova, dokumente, video, fotografi, të gjitha.
Një punë e jashtëzakonshme në radhë e strukturave të PD, të cilat kanë mbrojtur votën duke identifikuar çdo shkelje ligjore, çdo dhunim të votës, çdo ndërhyrje të krimit dhe me radhë”.
Top Channel