Një ngjarje tragjike ka tronditur thellë futbollin e Amerikës së Jugut dhe ka rikthyer në vëmendje krizën e rëndë të sigurisë në Ekuador.

Mario Pineida, mbrojtësi 33-vjeçar i Barcelona Sporting Club dhe ish-lojtar i kombëtares ekuadoriane, u vra brutalisht pasditen e sotme në një sulm të armatosur që dyshohet se ishte një ekzekutim i mirëorganizuar.

Ngjarja ndodhi rreth orës 16:30 (ora lokale) në lagjen Samanes 4, në veri të qytetit Guayaquil. Sipas informacioneve paraprake nga Policia Kombëtare, Pineida ndodhej jashtë një dyqani mishi kur u sulmua. Një grup personash të armatosur hapi zjarr ndaj tij dhe një personi tjetër që ndodhej pranë.

Futbollisti u qëllua disa herë dhe humbi jetën në vendngjarje, ndërsa personi tjetër mbeti i plagosur dhe u dërgua me urgjencë në spital. Autoritetet rrethuan menjëherë zonën dhe nisën hetimet, ndërsa identiteti i viktimës u konfirmua zyrtarisht nga Ministria e Brendshme.

Mario Pineida ishte një figurë e njohur dhe e respektuar në futbollin vendas, i aktivizuar kryesisht si mbrojtës i majtë, me një karrierë të gjatë në elitën ekuadoriane dhe disa paraqitje me përfaqësuesen “Trikolor”.

Barcelona SC reagoi me tronditje përmes një deklarate zyrtare, ku shprehu ngushëllime të thella për familjen e futbollistit dhe u bëri thirrje tifozëve të bashkohen në lutje në këtë moment të dhimbshëm.

Kjo vrasje e rëndë nuk konsiderohet një rast i izoluar, por pjesë e një vale dhune që ka përfshirë Ekuadorin muajt e fundit. Përshkallëzimi i kriminalitetit ka vënë në shënjestër edhe figura publike dhe sportistë, duke thelluar ndjenjën e pasigurisë në të gjithë vendin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB