Përshkallëzohet konflikti kufitar Tajlandë-Kamboxhia, forcat tajlandeze hedhin dy bomba në qendrën e madhe të kazinove

18/12/2025 18:36

Forcat Tajlandeze kanë hedhur dy bomba pranë qytetit Poipet në Kamboxhia, i njohur si një qendër e madhe kazinosh dhe kalimi më i madh tokësor midis dy vendeve.

Bombardimet vijnë ndërsa përleshjet e ripërtërira kufitare nuk tregojnë shenja qetësimi.

Luftimet e ripërtërira këtë muaj kanë vrarë të paktën 21 persona në Tajlandë dhe 17 në Kamboxhia, ndërsa kanë zhvendosur rreth 800 mijë persona të tjerë, thonë zyrtarët.

Në një deklaratë, ministria e mbrojtjes e Kamboxhias tha se forcat tajlandeze hodhën dy bomba në zonën e komunës Poipet rreth orës 11:00 të mëngjesit.

Menjëherë pas kësaj, zëdhënësi i Forcave Ajrore Tajlandeze, tha se ushtria tajlandeze kishte sulmuar qendrën jashtë Poipetit, e cila ishte përdorur për të ruajtur raketat BM-21, dhe se asnjë civil nuk u lëndua.

Raketat BM-21 janë armë që zakonisht qëllohen me breshëri nga pjesa e pasme e një automjeti të blinduar.

Shpërthimet me bombë duket se janë të parat në Poipet, i cili është i njohur për kazinotë e njohura me lojtarët tajlandezë dhe pikën e kontrollit ndërkombëtar kufitar.

Të martën, Tajlanda tha se midis 5,000 dhe 6,000 shtetas tajlandezë mbetën të bllokuar në Poipet pasi Kamboxhia mbylli pikat e saj kufitare tokësore midis dy vendeve.

Ministria e Brendshme e Kamboxhias tha se mbyllja e kufijve ishte një “masë e nevojshme” për të zvogëluar rreziqet për civilët, duke shtuar se udhëtimi ajror mbeti një mundësi për ata që kërkonin të largoheshin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB