Përfundon procesi për masat e AKSHI-t ndaj gjashtë personave, arrest shtëpie për drejtoreshën Mirlinda Karçanaj

18/12/2025 18:04

Mbas një procesi të tejzgjatur ndaj gjashtë personave, ku u verifikuan kushtet mbi të cilat ishte shpallur në mungesë masat e sigurimit, Gjykata e Posaçme la në fuqi arrestin shtëpiak për Mirlinda Karcanaj, drejtoreshë e përgjithshme e AKSHI-t, e dyshuar për shkelje të barazisë në tendera, e kryer në bashkëpunim nga grupi kriminal, raporton Anila Hoxha.

E njëjta masë u aprovua edhe ndaj zëvendësdrejtoreshës Hava Delibashi, ndaj së cilës adresohen të njëjtat vepra.

Ndërsa për zëvendësdrejtorin e Policisë së Tiranës, Erjon Ismailaj, gjykata ndryshoi qëndrim, duke i hequr masën e ndalimit për të dalë jashtë vendit, por duke i lënë atë të pezullimit nga detyra. Në fuqi u lanë edhe masat ndaj tre biznesmenëve, të cilët kanë në dosje edhe akuzën e pastrimit të parave.

Në një hetim gati njëvjeçar, prokurori i posaçëm Bledar Maksuti thotë se ka zbuluar një grup kriminal që vepronte si i tillë për përzgjedhjen e fituesve të tenderave në AKSHI dhe, mes të tjerash, disponon edhe qëndrimin e një biznesmeni, i cili dyshohet se për shkak të konkurrencës së paligjshme iu hoq liria nga persona që kishin veshur jelekë me logo false të BKH-së dhe që, me një makinë me logo policie, e kanë kanosur që të mos ankohej për çrregullsitë në përzgjedhjen e fituesve në garë.

Prokurori Bledar Maksuti përmend në hetime se të dyshuarit, gjatë tenderave, u kanë kërkuar palëve të heqin dorë nga ankimet për procedurat e caktuara të tenderimit, kësisoj duke i hapur rrugën kompanive të paracaktuara, për të cilat shqyrtimi i ankimimit mund të sillte edhe ndryshimin e renditjes së listës së fituesve. Gjithashtu, të dyshuar janë edhe administratorët e disa kompanive, të cilët me veprime të kundërligjshme, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, kanë marrë pjesë formalisht në procedura tenderimi, kanë lëshuar fatura tatimore fiktive si dhe kanë realizuar transaksione kundrejt kompanive që nuk ishin pjesë e procesit të tenderimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB