Berisha paralajmëron përjashtimin e Salianjit nga PD pas takimit të Elbasanit: Kush organizon mbledhje me ndihmën e kriminelëve, ka kaluar vijën e kuqe

17/12/2025 13:37

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha paralajmëroi sot përjashtimin nga partia të ish-deputetit, Ervin Salianji pas takimit që ky i fundit organizoi një ditë më parë në Elbasan.

Në një konferencë për shtyp, ai tha se kishte informacione që organizator në hije I këtij takimi ishte Suel Çela.

“Në të gjithë karrierën time politike dhe në ditët më të vështira kurrë nuk kam bërë kompromis me krimin. Në qoftë se e ndjek këtë betejë, pavarësisht nga çmimi që ka pasur, është vendimi më i drejtë. Vija e kuqe e Sali Berishës është ndarëse sa i përket bashkëpunimit me krimin. Që një anëtar i kooptuar i kryesisë dhe anëtar i Këshillit Kombëtar, të organizojë me Suel Çelën, kriminelin më të rrezikshëm të Elbasanit, kreut e një prej karteleve më të fuqishme në Europë, takim, kjo është absolutisht e papranueshme dhe kurrë nuk mund të kalojë”, tha Berisha.

Sipas tij “ai që ndërmerr një veprim të tillë, tejkalon vijën e kuqe dhe është përgjegjës për veten e tij. Nuk mund të pranoj asnjë formë bashkëpunimi me kartelet e drogës dhe organizatat kriminale. Sa i përket takimit që thoni ju, kemi pasur informacione që pohojnë se Suel Çela ka qenë organizator kryesor në hije I takimit. Përshëndes të gjitha strukturat e Elbasanit që e bojkotuan me neveri një takim të tillë”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB