Ish-luftëtari i njohur i MMA-së, Geronimo Dos Santos, ka ndërruar jetë në moshën 45-vjeçare, pas një ngjarjeje tragjike në Brazil.
Sipas mediave braziliane, përfshirë Globo, Dos Santos ishte zhdukur të shtunën pasi kishte hyrë për t’u larë në lumin Negro, në Amazonë, gjatë një vizite që po zhvillonte së bashku me partneren e tij. Ai nuk u kthye më, pasi dyshohet se u mor nga rrymat e forta të lumit.
Raportet lokale bëjnë me dije se trupi i tij u gjet i bllokuar nën shkëmbinj në fund të lumit dhe u nxor të hënën. Autoritetet e Sao Gabriel da Cachoeira konfirmuan zyrtarisht vdekjen e tij pak më vonë.
Në një deklaratë zyrtare thuhet: “Në këtë moment dhimbjeje, shprehim ngushëllimet tona më të thella për familjen dhe miqtë. Zoti u dhëntë forcë dhe ngushëllim për të përballuar këtë humbje të madhe.”
Geronimo Dos Santos, i njohur me nofkën “Mongdragon”, kishte një karrierë të pasur në artet marciale mikse, duke garuar në disa organizata ndërkombëtare si Mr Cage, RIZIN, ACA, Fight Nights Global dhe së fundmi BKFC. Ai kishte firmosur me UFC-në në vitin 2012, por nuk arriti të debutonte kurrë, pasi u tërhoq nga përballja e planifikuar në UFC 153 ndaj Gabriel Gonzaga dhe më pas u lirua nga organizata.
Dos Santos e mbylli karrierën me një rekord profesional prej 45 fitoresh, 26 humbjesh dhe një barazimi. Ndeshja e tij e fundit në BKFC ishte në prill, kur nokautoi ish-sfidantin e peshës së rëndë në UFC, Aleksei Oleinik, brenda vetëm 109 sekondave. Ai ishte planifikuar të përballej me Andrei Arlovskin në qershor, por u tërhoq edhe nga ajo ndeshje.
Vdekja e tij ka tronditur botën e sporteve luftarake, duke lënë pas një trashëgimi të fortë në MMA-në ndërkombëtare.
Top Channel