Skandal në San Siro/ Inter dhe Milan të përfshira në gjyqin “Double Curve”, dënime të rënda për krerët e tifozëve

16/12/2025 16:32

Hetimet gjyqësore kanë zbuluar se Inter ishte “i nënshtruar ndaj anëtarëve të Curva Nord, duke i lehtësuar ata, edhe pse me ngurrim”.

Kështu shkruan gjyqtarja e seancës paraprake në Milano, Rossana Mongiardo, në vendimin prej afro 300 faqesh të 17 qershorit, me të cilin u shpallën dënime që arrijnë pothuajse 90 vite burg për 16 të pandehur në gjyqin e shkurtuar.

Vendimi vjen si rezultat i hetimeve të prokurorëve të DDA-së, Paolo Storari dhe Sara Ombra, që çuan në operacionin e madh policor “Double Curve” në shtator 2024, të zhvilluar nga policia dhe Guardia di Finanza.

Sipas aktgjykimit, Curva Nord e Interit ishte “thjesht një front material” për aktivitete të paligjshme, e lidhur me një “marrëdhënie mbrojtjeje të stilit mafioz”, e cila kishte edhe “miratimin” e klanit të ‘Ndrangheta Bellocco. Po ashtu, dëshira për të mos ndarë menaxhimin dhe të ardhurat e Curva Sud të Milanit ka motivuar akte intimidimi dhe dhune, me qëllim sigurimin e fitimeve të paligjshme, si rishitja e biletave, që kapnin shifra mbi 100 mijë euro në vit.

Interi, së bashku me AC Milan dhe Lega Serie A, u paraqitën në gjyq si palë civile, duke përfituar dëmshpërblim për dëmet e pësuara. Të dy klubet milaneze, Rossonerët dhe Nerazzurrët, janë përfshirë gjithashtu në procedura parandaluese nga Prokuroria e Milanos dhe muajt e fundit kanë punuar për të shkëputur lidhjet e pashëndetshme me grupet e organizuara të tifozëve. Pas bastisjes së vitit 2024, drejtues dhe lojtarë të të dyja klubeve janë marrë në pyetje nga autoritetet.

Dënimet më të rënda, nga 10 vite burg secili, iu dhanë krerëve të dy tribunave të San Siros: Andrea Beretta për Interin, tashmë bashkëpunëtor i drejtësisë, dhe Luca Lucci për AC Milanin. Gjyqtarja pranoi të gjitha akuzat, nga vrasja e vitit 2024 e Antonio Bellocco, trashëgimtar i klanit Bellocco, te tentativa për vrasje gjashtë vite më parë, si dhe dy shoqatat kriminale, përfshirë një pakt biznesi mes Curva Sud të Milanit dhe Curva Nord të Interit. Për këtë të fundit u njoh edhe rëndesa e përfshirjes mafioze për shkak të lidhjeve me ‘Ndrangheta-n.

“Nuk ka asnjë dyshim se dhuna sistematike që ushqeu aktivitetet e krerëve të Curva Nord dhe Curva Sud minoi perceptimin e sigurisë brenda stadiumit”, shkruan gjyqtarja Mongiardo, duke theksuar se kjo ka dëmtuar edhe imazhin e Interit dhe Milanit. Sipas vendimit, është provuar se ngjarjet kanë shkaktuar “dëm jopasuror”, duke cenuar të drejta të paprekshme si imazhi, nderi dhe reputacioni i dy klubeve historike të futbollit italian.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB