Legjenda e kriketit anglez, Michael Vaughan, ka treguar për herë të parë momentet dramatike që përjetoi gjatë sulmit terrorist në Bondi, Australi, ku mbeti i bllokuar brenda një restoranti së bashku me familjen e tij.
Vaughan, 51 vjeç, ndodhej me familjarë dhe miq në një pub vetëm disa qindra metra larg zonës ku dy persona të armatosur, baba e bir, hapën zjarr. Sulmi i përgjakshëm në Sidnej la pas 15 viktima, mes tyre edhe një vajzë 10-vjeçare, ndërsa të paktën 40 persona të tjerë u plagosën, pesë prej tyre në gjendje kritike, sipas konfirmimit të policisë.
Ish-kapiteni i Anglisë tregoi në emisionin Piers Morgan Uncensored se fillimisht nuk e kishte kuptuar seriozitetin e situatës.
“Ishim në pub. Unë isha jashtë duke folur në telefon kur papritur pashë makina policie që kalonin me shpejtësi. Mendova se mund të ishte ndonjë sulm peshkaqeni ose diçka në plazh,” u shpreh Vaughan.
Situata ndryshoi brenda pak minutash, kur një roje sigurie i paralajmëroi se kishte persona të armatosur dhe dyshohej për pengmarrje. Vaughan dhe të tjerët u futën me shpejtësi brenda lokalit, i cili u mbyll plotësisht, me dyert dhe grilat e ulura.
“Na thanë të futeshim të gjithë brenda në restorant. Filluan të vinin lajme se kishte pasur një sulm në plazh dhe më pas se bëhej fjalë për një akt terrorist. Dyert u mbyllën dhe na u kërkua të qëndronim aty,” rrëfeu ai.
Për një periudhë kohe, sipas Vaughanit, mbizotëroi konfuzioni dhe frika, pasi në rrjetet sociale qarkullonin zëra për sulme të tjera në zona të ndryshme të Sidnejt.
“Për një kohë nuk kishim asnjë ide çfarë po ndodhte. Thjesht ishim të mbyllur brenda atij restoranti,” shtoi ai.
Vaughan, i cili ndodhet në Australi për të ndjekur ndeshjet e Ashes, ka vlerësuar lart guximin e një qytetari civil që arriti të çarmatoste njërin prej sulmuesve, duke shmangur pasoja edhe më tragjike.
Në një shkrim për The Telegraph, ai theksoi se përjetimi ishte i papërshkrueshëm: “Nuk kam përjetuar kurrë diçka të tillë. E di çfarë po ndodh rreth teje, por nuk do ta besosh. Në restorant kishte njerëz që hanin, por atmosfera ishte shumë e rëndë.”
Vaughan shtoi se ishte përpjekur të ruante qetësinë për hir të fëmijëve të tij, të cilët ndodheshin me të gjatë momentit të bllokimit.
“Ishim gjashtë veta: unë, gruaja ime, motra e saj, dy vajzat e mia dhe një shoqe e tyre. Duhej të qëndroja i qetë, sepse të rinjtë e kuptojnë çfarë po ndodh dhe nuk do t’u shtosh frikën.”
Ai e quajti “hero” civilin që çarmatosi sulmuesin dhe lavdëroi reagimin e shpejtë dhe të qetë të policisë australiane.
“Po të mos ishte ai qytetar që ia mori armën terroristit, nuk mund ta imagjinoni çfarë mund të kishte ndodhur,” shkroi Vaughan, duke vlerësuar gjithashtu shpirtin dhe reagimin e shoqërisë australiane pas ngjarjes.
Top Channel