“Komuniteti hebre nuk ndihet i sigurt”, Ambasadori i Izraelit në Itali: Ata kanë të drejtë të jetojnë në paqe

15/12/2025 20:55

Ambasadori i Izraelit në Itali, Jonathan Peled, ka deklaruar se komuniteti hebre në Itali nuk ndihet i sigurt, duke theksuar se hebrenjtë janë qytetarë italianë me të drejta të plota dhe nuk duhet të identifikohen me politikat e brendshme të Izraelit.

“Unë besoj se hebrenjtë në Itali nuk ndihen të sigurt. Ata janë qytetarë italianë, si të gjithë italianët e tjerë, kanë të drejtë të jetojnë në paqe dhe siguri dhe nuk janë në asnjë mënyrë të lidhur me politikën e brendshme të Izraelit, por me politikën italiane”, tha Peled në një intervistë televizive.

Duke folur për konfliktin izraelito-palestinez, ambasadori u shpreh optimist për zgjidhjen me dy shtete, por theksoi se aktualisht mungon një partner i besueshëm për negociata nga pala palestineze.

“Jam optimist për zgjidhjen me dy shtete, por problemi nuk janë kolonët në Bregun Perëndimor. Problemi është mungesa e një lidershipi të moderuar palestinez që ta pranojë Izraelin dhe të jetë i gatshëm për kompromis”, tha ai. I pyetur nëse aktualisht ekziston një bashkëbisedues i tillë, Peled u përgjigj: “Jo për momentin”.

Sipas mediave italiane, Peled pranoi gjithashtu se operacionet ushtarake izraelite në Gaza mund të kenë ndikuar negativisht në opinionin publik ndërkombëtar, por argumentoi se Izraeli po përballet me një konflikt asimetrik.

“Kur kemi një luftë asimetrike kundër një armiku si Hamasi, është detyra jonë të mbrohemi dhe të përdorim çdo mjet të nevojshëm për të eliminuar këtë rrezik, jo vetëm për Izraelin, por edhe për Perëndimin”, përfundoi ambasadori.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB