Deti, natyra, çmimet konkurruese dhe një imazh gjithnjë e më i fortë në hartën turistike të Europës kanë kthyer Shqipërinë në një nga destinacionet më të kërkuara të viteve të fundit.
Por përtej numrit rekord të vizitorëve, sa para po shpenzojnë të huajt realisht në ekonominë shqiptare?
Vetëm në 9 muajt e parë të vitit, të ardhurat nga turistët e huaj arritën në 4.4 miliardë euro, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë ndërsa mesatarisht çdo i huaj ka shpenzuar rreth 430 euro gjatë qëndrimit në vend. Ekspertët thonë se kjo shifër duket e kënaqshme, e ndikuar jo nga dëshira e turistëve për të shpenzuar më shumë por rritja e kostove.GRAFIK)
“Duket sikur turistët kanë shpenzuar pak më shumë, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht rritje reale. Duhet marrë parasysh rritja e çmimeve në vend, si edhe zhvlerësimi i euros, që ndikon drejtpërdrejt në vlerën e shpenzimeve.”, shprehet Feriold Ozuni, ekspert i turizmit.
Viti 2025 konsiderohet nga operatorët si një nga sezonet më të mira turistike edhe për zgjerimin e hartës turistike gjatë gjithë vitit. Megjithatë, fokusi i bizneseve ka qenë gjithnjë e më shumë tek të ardhurat, dhe jo vetëm tek fluksi.
“2025 ka performuar më mirë se vitet e tjera, por bizneset këtë herë nuk e kanë matur suksesin me numrin e turistëve. Vëmendja ka qenë te sa para kanë mbetur realisht, sepse kostot janë rritur dhe marzhet janë ngushtuar.”, shton ai.
Nga ana tjetër, bilanci i udhëtimeve tregon se edhe shqiptarët kanë shpenzuar më shumë jashtë vendit. Në 9 muaj, pushimet e shqiptarëve jashtë Shqipërisë kushtuan 2.3 miliardë euro.
“Shqiptarët po udhëtojnë më shumë jashtë dhe po shpenzojnë gjithnjë e më shumë, çka tregon një presion të dyfishtë: nga njëra anë fitimet nga turistët e huaj, nga ana tjetër dalja e valutës nga vendi.”, thekson Onuzi.
Nga viti në vit turizmi sjell miliarda në ekonomi duke u kthyer dhe nëj ndër motorët e rritjes ekonomike, por sfida sipas ekspertëve tashmë nuk është sa turistë vijnë por sa vlerë reale mbetet në vend.
TË ARDHURAT NGA TURIZMI
(Burimi: BANKA E SHQIPËRISË)
9 mujori 2024 3.8 mld euro
9 mujori 2025 4.4 mld euro
SHPENZIMET MESATARE TË NJË TURISTI
(Burimi: BANKA E SHQIPËRISË)
9 mujori 2024 398 euro/person
9 mujori 2025 431 euro/person
PUSHIMET E SHQIPTARËVE JASHTË
(Burimi: BANKA E SHQIPËRISË)
9 mujori
2.3 mld euro
+10.2%
Top Channel