Një gol i mjafton bardhezinjve, Juventusi mund Bolognan dhe afrohet me zonën Champions

14/12/2025 22:45

Juventusi ka marrë një fitore minimale, por shumë të rëndësishme ndaj Bolognas, duke triumfuar 1-0 në ndeshjen përmbyllëse të javës së 15-të të Serie A.

Falë këtij suksesi, bardhezinjtë ngjiten në vendin e pestë të renditjes, duke parakaluar pikërisht Bolognan dhe duke iu afruar sërish zonës Champions League.

Në pjesën e parë, Juventusi rrezikoi në disa momente, por u shpëtua nga pritjet vendimtare të Di Gregorio-s dhe nga traversa e goditur nga Zortea. Ndërkohë, në fraksionin e dytë, skuadra rriti intensitetin dhe gjeti golin vendimtar falë ndryshimeve nga stoli.

Goli i fitores u shënua nga Cabal, i cili realizoi me kokë pas një asisti perfekt të Yildiz. Vendimtar rezultoi edhe Openda, i futur si zëvendësues, i cili pak minuta pas avantazhit detyroi mbrojtësin Heggem të ndëshkohej me karton të kuq për ndërhyrje si lojtari i fundit (DOGSO).

Në minutat e fundit u rikthye në fushë edhe Bremer, i cili luajti rreth 20 minuta pas operacionit në menisk, duke ndihmuar ekipin të ruajë rezultatin deri në fund.

Me këtë fitore, Juventusi lë pas humbjen e fundit dhe rikthehet te rezultatet pozitive në kampionat. Në anën tjetër, Bologna regjistron ndeshjen e tretë radhazi pa fitore dhe rrezikon të parakalohet edhe nga Como në renditje.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta