Video/ Interi nuk gabon në transfertë, zikaltrit mposhtin skuadrën e De Rossit dhe ngjiten në krye të renditjes së Serie A
Tregu i transferimeve italian po përgatit një skenar intrigues që mund të ndryshojë ekuilibrat mes Juventusit dhe Interit. Bardhezinjtë po mendojnë seriozisht për Davide Frattesin, mesfushorin e Interit, ndërsa zikaltërit po shqyrtojnë mundësinë e afrimit të Khephren Thuram, vëllait të Marcus Thuram, për ta ribashkuar familjen Thuram në Milano.
Ëndrra e Lilian Thuram ka qenë gjithmonë t’i shohë të dy djemtë me fanellën bardhezi të Juventusit, klubit të zemrës së tij. Megjithatë, fati mund të surprizojë edhe vetë ish-mbrojtësin legjendar: ekziston një mundësi reale që Khephren Thuram, aktualisht te Juventusi, të transferohet te Interi dhe t’i bashkohet Marcusit me fanellën zikaltër.
Çelësi i gjithë operacionit është Davide Frattesi. Mesfushori 26-vjeçar nuk ka arritur kurrë të bëhet protagonist i padiskutueshëm te Interi, fillimisht dhe as tani nën drejtimin e Cristian Chivu. Minutat e pakta, stolat e shpeshtë dhe rreziku për të humbur vendin në Kombëtare po e shtyjnë drejt një largimi, që mund të ndodhë në janar ose, më shumë gjasa, në verë.
Në Torino, situata është krejt ndryshe. Juventus ka admirues të shumtë për Frattesin, duke nisur nga trajneri Luciano Spalletti, i cili e vlerëson shumë profilin e tij energjik dhe dinamik, ideal për stilin e lojës që ai preferon. Frattesi ka lënë gjurmë me gola vendimtarë – si ndaj Bayern Munich apo Barcelona-s – por te Interi nuk ka gjetur kurrë vazhdimësinë e nevojshme.
Në këtë kontekst hyn në skenë Khephren Thuram. 23-vjeçari shihet nga Interi si profili ideal për të zëvendësuar Frattesin: një mesfushor fizik, me shpërthime dhe ndryshime ritmi, karakteristika që i mungojnë aktualisht repartit zikaltër. Edhe pse këto dy operacione nuk do të ishin domosdoshmërisht të lidhura në aspektin financiar, në fushë ato përfaqësojnë një kombinim perfekt nevojash për të dy klubet.
Nga ana ekonomike, Frattesi ka kontratë me Interin deri në vitin 2028, me pagë neto 2.8 milionë euro në sezon. Kostoja e tij historike është 31.4 milionë euro dhe vlera e bilancit në fund të sezonit do të zbresë mbi 12 milionë euro, ndërsa Interi e vlerëson kartonin e tij nga 30 milionë euro e lart. Khephren Thuram, ndërkohë, i ka kushtuar Juventusit 20 milionë euro në verën e vitit 2024, ka kontratë deri në 2029 me pagë 2 milionë euro neto dhe është katër vite më i ri – faktor që rrit ndjeshëm vlerësimin e tij, potencialisht deri në 40 milionë euro.
Për momentin nuk ka ende hapa zyrtarë, por sinjalet nga prapaskena tregojnë se është vetëm çështje kohe. Një gjë është e sigurt: një lëvizje e tillë do të ishte e pazakontë në futbollin italian, ku transferimet direkte mes Interit dhe Juventusit kanë qenë gjithmonë burim polemikash. Megjithatë, këtë herë, nevojat teknike dhe strategjike mund të hapin një kapitull të ri.
Ndërsa klubet llogarisin shifrat dhe momentin e duhur, Lilian Thuram vëzhgon nga distanca.
Top Channel