Milan-Sassuolo, goli i Pulisiç nuk duhej të anulohej, miqve i mungon një penallti
Oferta për blerjen e Juventusit nga aksionari pakicë Tether ka ndezur debat në botën bardhezi, por një qëndrim i prerë ka ardhur nga një prej figurave më ikonike të historisë së klubit: Michel Platini.
Ish-numri 10 legjendar i Juventusit ka shprehur hapur mbështetjen e tij për vendimin e John Elkann dhe Exor për të refuzuar ofertën.
Exor, kompania që kontrollon shumicën e aksioneve të Juventus Football Club, ka bërë të ditur zyrtarisht se Bordi i Drejtorëve ka hedhur poshtë në mënyrë unanime propozimin e pakërkuar nga Tether Investments për blerjen e të gjitha aksioneve të klubit. Në deklaratë theksohet se Exor nuk ka ndërmend të shesë asnjë pjesë të aksioneve të saj tek palë të treta, përfshirë edhe Tether, kompani me seli në El Salvador.
Qëndrimi i Exor është përshëndetur fuqishëm nga Platini, i cili në një intervistë për Il Giornale u shpreh krenar për refuzimin e ofertës:
“Jam krenar që John Elkann e ka refuzuar menjëherë. Shitja e Juventusit është e pamundur,” deklaroi francezi.
Sipas Platinisë, lidhja mes Juventusit dhe familjes Agnelli është e pazgjidhshme:
“Juventusi është historia jo vetëm e futbollit italian dhe ndërkombëtar. Juventus do të thotë Agnelli – një fenomen unik, pothuajse ekskluziv, që lindi më shumë se një shekull më parë dhe është i destinuar të vazhdojë. Nuk mund të shesësh emocione, tifozë dhe traditë, dhe John Elkann e di shumë mirë këtë.”
Ish-kampioni francez u shpreh gjithashtu skeptik ndaj botës së re të financave dhe investitorëve të rinj:
“Nuk i njoh këta zotërinj që duan të blejnë Juventusin. Bota e financave të reja është ende për t’u zbuluar dhe duhet studiuar me kujdesin më të madh. Jam i sigurt se John nuk do t’i dorëzohet asnjë propozimi nga këta aksionarë të pakicës.”
Platini, i cili shpesh përmendet nga tifozët si figura ideale për postin e presidentit të Juventusit, ka sqaruar edhe një herë pozicionin e tij personal:
“Më pyesin ende sot për këtë. E kam menduar, por familja ime është e para. Në moshën 70-vjeçare nuk mund të nis një përvojë të re, edhe pse thirrja është e fortë. Kjo nuk do të thotë se nuk do të jem pranë Juventusit.”
Top Channel