Opera Il Trovatore dhuroi tre mbrëmje të veçanta në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit me një kast të mrekullueshëm artistësh, të cilët sollën në jetë me intensitet dhe emocion historinë e kësaj kryevepre verdiane.
Kjo premierë shënoi rikthimin e tenorit të mirënjohur Josif Gjipali pas më shumë se dy dekadash në skenën shqiptare, si edhe debutimin për herë të parë në skenën tonë të mezzosopranos Enkeleida Shkoza, një prani artistike që u mirëprit me duartrokitje të shumta nga publiku.
Në natën finale, në 13 dhjetor, kasti i solistëve, Eva Golemi, Bledar Domi, Suada Gjergji, Matias Xheli dhe Erlind Zeraliu mbajtën mbërthyer publikun artdashës me interpretimin e tyre. Gjithashtu, miku i ftuar, baritoni Ankhbayar Enkhbold, solli një Conte di Luna të fuqishëm.
Orkestra Simfonike dhe Kori i TKOB-së, nën drejtimin e dirigjentit Andrea Solinas, si dhe dirigjentit të Korit, Dritan Lumshi, shoqëruan me mjeshtëri këtë premierë, duke theksuar tensionin dramatik dhe pasurinë muzikore të veprës.
Ky produksion mbante firmën regjisoriale të Roberto Catalano, i realizuar nën asistencën e Luca Baraccini dhe Ada Gurrës.
Top Channel