Kryevepra e Shekspirit, “Hamlet”, po shfaqet premierë në skenën e Teatrit Metropol, nën konceptin regjisorial të Jonida Beqos, me një skenografi moderne dhe skenar plot të papritura.
“Të jesh apo të mos jesh”, vepra është një reflektim mbi zgjedhjet, përgjegjësinë tonë dhe dilemën ekzistenciale të njeriut.
Kjo shfaqje bën bashkë një trupë të gjerë aktorësh, ku brezat takohen në të njëjtën skenë. Princi Hamlet interpretohet nga Amos Zaharia, ndërsa mbret nga Viktor Zhusti.
“Ka qenë një rol me shumë sfida. I lodhshëm, por nga ana tjetër jashtëzakonisht shumë i bukur”, u shpreh aktori Amis Zaharia.
“Është edhe ajo shprehja që thotë ‘mbretin e luajnë’ shërbëtorët. Kjo shfaqje nuk do të arrinte dot këtë nivel pa bashkëpunënimin e të gjithë aktorëve. Veçanërisht Viktor Zhusti ka bërë një rol të jashtëzakonshëm”, tha Zaharia.
“Ishte një punë krejt e veçantë sepse jo vetëm që është një kryevepër, por vihet në një teatër që kushtet i ka tepër të kufizuara, megjithatë reagimi i publikut, pritja, entuziazmi gjatë dhe aps shfaqjes tregon që shfaqja ia ka arritur qëllimit. Ky ishte një sukses i veçantë për mikut tim, Amosin”, u shpreh Viktor Zhusti.
Teatri është mjeti për të zënë mat ndërgjegjen e një mbreti, arti del lakuriq para së vërtetës… për mbi 160 minuta, tragjedia mbajti mbërthyer publikun.
“Të luaj krah Viktor Zhustit, Yllka Mujos, Armela Demajt, Sokol Angjelit është një kënaqësi shumë e veçantë. Reagimi i publikut ka qenë shumë i bukur”, tha Urim Aliaj.
“Hamlet” mirëpret publikun edhe këtë të diel në mbrëmë për t’u rikthyer më pas në muajin janar me datat e reja të premierës.
Top Channel