Gafë pas gafe në Serie A, Napoli humb mundësinë të parakalojë Milanin, Interi merr asist nga Udinese

14/12/2025 17:12

Në javën e 15-të të Serie A, Udinese surprizoi Napolin duke e mposhtur 1-0, duke i shkaktuar një ndalesë të rëndësishme skuadrës së drejtuar nga Antonio Conte.

Humbja i kushtoi shtrenjtë Azzurrëve, të cilët nuk arritën të përfitonin nga barazimi i Milanit ndaj Sassuolos për të marrë kreun e renditjes, duke i hapur kështu rrugën Interit.

Pjesa e parë u karakterizua nga ritëm i ulët dhe pak raste shënimi, me të dyja skuadrat të përqendruara kryesisht në fazën mbrojtëse. Udinese e nisi më mirë takimin, ndërsa Napoli reagoi duke rrezikuar portën e Okoye, por pa sukses. Edhe friulianët patën një rast të mirë me Ekkelenkamp, por Milinkovic-Savic ishte i vëmendshëm

Në fraksionin e dytë loja mori më shumë intensitet. Udinese kaloi në avantazh në minutën e 52-të me Davis, por goli u anulua pas rishikimit në VAR për pozicion jashtë loje. Skuadra vendase vijoi të shtyjë përpara dhe u ndal nga traversa në minutën e 59-të pas një goditjeje të fuqishme të Piotrowskit.

VAR ndërhyri sërish në minutën e 69-të, duke anuluar një tjetër gol për Udinesen, këtë herë për faull në ndërtimin e aksionit. Megjithatë, këmbëngulja e friulianëve u shpërblye në minutën e 73-të, kur Ekkelenkamp realizoi një gol spektakolar me një goditje të saktë nga distanca, duke mposhtur Milinkovic-Savic.

Në minutat e fundit, Napoli pati mundësi të arta për të barazuar rezultatin, fillimisht me Hojlund që gaboi nga afër, dhe më pas me Lucca që goditi shtyllën e jashtme, por pa arritur të shmangë humbjen.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta