E bujshme, Roger Federer, do të rikthehet në Australian Open 2026…
Legjenda e WWE-së, John Cena, ka shpallur zyrtarisht fundin e karrierës së tij në mundjen profesionale, duke ulur perden e një rruge 24-vjeçare në ring. Ndeshja e fundit e tij u zhvillua të shtunën në Capital One Arena në Uashington, D.C., në eventin Saturday Night’s Main Event.
Në përballjen e lamtumirës, Cena u ndesh me Gunther, duke u mposhtur pasi u detyrua të dorëzohej nga një “sleeper hold” pas një ndeshjeje që zgjati afro 25 minuta. Përfundimi shokoi tifozët, pasi Cena – i njohur për faktin se nuk dorëzohej kurrë – u detyrua të “tap out” për herë të parë në karrierën e tij.
Atmosfera në arenë ishte emocionale, me thirrje të forta që e nxisnin veteranin të vazhdonte luftën, ndërsa pas dorëzimit, disa tifozë u panë me lot në sy. Pas rënies së gongut, shumë mundës nga prapaskena e WWE-së dolën në ring për ta nderuar.
Cena la byzylykët dhe çizmet në ring – një simbol tradicional i pensionimit – përpara se të largohej drejt rampës, duke u kthyer edhe një herë për të përshëndetur turmën dhe kamerat.
48-vjeçari largohet nga WWE si 17 herë kampion bote, rekordi më i madh i njohur nga kompania. Ai ka qenë kryesues i WrestleMania-s në gjashtë raste dhe konsiderohet gjerësisht si një nga mundësit më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Shprehja e tij e famshme “You Can’t See Me” u kthye në një nga sloganet më ikonike të sportit argëtues.
Cena debutoi në WWE në vitin 2002 kundër Kurt Angle, por fillimisht pati vështirësi të afirmohej. Karriera e tij mori hov pasi adoptoi personazhin “Doctor of Thuganomics”, i njohur për promovimet me rap freestyle, që e shndërruan shpejt në të preferuarin e tifozëve.
Përtej ringut, Cena pati sukses edhe në Hollywood, duke u bërë një nga yjet e paktë të WWE-së që arriti famë të qëndrueshme si aktor filmash.
Ai kishte njoftuar pensionimin gjatë eventit Money in the Bank më 6 korrik 2024, duke bërë të ditur se do të tërhiqej nga ringut në fund të vitit 2025. Turneu i lamtumirës nisi zyrtarisht në Royal Rumble në janar, ku u eliminua nga Jey Uso.
Më pas, Cena befasoi publikun duke kaluar në rolin e “heel” (personazh negativ) për herë të parë që nga viti 2003, gjatë Elimination Chamber më 1 mars. Në prill, ai fitoi titullin e tij të 17-të botëror duke mposhtur Cody Rhodes në WrestleMania, përpara se t’ia dorëzonte sërish titullin dhe personazhin negativ Rhodes-it në SummerSlam në gusht.
Një turne i posaçëm u organizua për të përcaktuar kundërshtarin e fundit të Cenës, me Gunther që doli fitues dhe fitoi të drejtën për t’u përballur me të në ndeshjen përmbyllëse.
Pas eventit, kampioni aktual i padiskutueshëm i WWE-së, Cody Rhodes, foli me emocione për ndikimin e John Cena-s:
“Kur diçka është kaq e mirë, nuk dëshiron të marrë fund. Ai bëri gjithçka sipas rregullave, mësoi kaq shumë njerëz dhe vendosi një standard jashtëzakonisht të lartë,” u shpreh Rhodes.
Me largimin e tij, John Cena lë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme në historinë e WWE-së dhe sportit argëtues.
Top Channel