Foto/ Iu nënshtrua një operacioni të vështirë disa muaj më parë, ish-kapiteni legjendar i Milanit pritet me ovacione të mëdha në San Siro

14/12/2025 14:15

Një rikthim plot emocion në shtëpinë e tij. Franco Baresi, kapiteni legjendar i Milanit dhe nënkryetar nderi i klubit, u kthye në tribunat e San Siros për të ndjekur nga afër ndeshjen kundër Sassuolos, pas disa muajsh mungesë nga stadiumi ku ka shkruar historinë.

Ish-kapiteni kuqezi, 65 vjeç, ishte rikthyer së fundmi edhe në selinë e klubit, por prezenca e tij në San Siro kishte munguar për një kohë të gjatë për shkak të problemeve shëndetësore. Në fillim të gushtit, Baresi iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale për heqjen e një nyje në mushkëri.

Pas operacionit, ai kishte qetësuar tifozët me një mesazh prekës të publikuar nga klubi: “Tifozë të dashur, dua t’ju njoftoj se do të më duhet pak kohë për t’u rikthyer në formë. Faleminderit AC Milan dhe të gjithëve juve për mbështetjen tuaj. Me dashuri, një përqafim.”

Rikthimi i tij në “tempullin” kuqezi nuk kaloi pa u vënë re. San Siro i rezervoi një duartrokitje të gjatë dhe të përzemërt, një ovacion që vulosi dashurinë e përjetshme mes Baresit dhe Milanit.

Një moment simbolik dhe emocionues për klubin dhe tifozët: mirë se u ktheve në shtëpi, kapiten.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta