Kosova ndihma humanitare për Gazën, anija niset nga Mersini me tenda e ushqime!

13/12/2025 15:21

Anija me ndihma humanitare që Kosova ka ndarë për palestinezët në Gazën e shkatërruar nga lufta është nisur nga porti i Mersinit në Turqi drejt enklavës palestineze.

Përmes një njoftimi në Facebook, Albin Kurti sqaroi se dërgesa në vlerën e 500 mijë eurove përfshin tenda, pako ushqimore, batanije dhe 158 mijë racione ushqimi të ngrohtë siç shkruan ai, për banorët në nevojë.

Kryeministri në detyrë theksoi se qeveria e tij i kishte ndarë që në janar fondet për këtë qëllim, por dërgimi i ndihmave u mundësua vetëm tani, pas armëpushimit të arritur në tetor, me ndërmjetësimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Edhe pse pushimzjarri mes Izraelit dhe Hamasit është zbatuar në masë të madhe, një pjesë e mirë e infrastrukturës së Gazës mbetet e rrënuar për shkak të konfliktit, dhe kushtet e jetesës së banorëve janë tejet të vështira.

Zyrtarë të Kombeve të Bashkuara dhe palestinezë kanë deklaruar se nevojiten urgjentisht të paktën 300.000 tenda të reja për rreth 1.5 milionë njerëz që vazhdojnë të jenë të zhvendosur brenda enklavës. Kurti tha se kjo ndihmë humanitare “përfaqëson angazhimin e Kosovës si pjesë e solidaritetit ndërkombëtar dhe përkushtimin tonë për të mbështetur popullatën civile që po përballet me vështirësi tejet të mëdha në Gazë”.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta