Cirku në Gjirokastër, qyteti gjallëron edhe në dimër për shkak të fluksit të madh të turistëve

13/12/2025 12:31

Një program i pasur aktivitetesh kulturore dhe artistike po gjallëron qytetin e Gjirokastrës në këtë atmosferë të festave të fundvitit.

Trupa e Cirkut Kombëtar solli në qytetin e gurtë një shfaqje festive duke tërhequr publikun e të gjitha moshave.

“Ne jemi gjithmonë të lumtur dhe të kënaqur që artin e cirkut e transmetojmë kudo ku ne shkojmë, çdo qytet na mirëpret dhe sot jemi në Gjirokastër, në këtë atmosferë festash nuk mund të mungojnë artistët e cirkut për të dhuruar emocione për të gjithë publikun i cili ndodhet me ne këtu sot”, u shpreh Gerald Shima, artistik cirku.

E veçantë ishte edhe mbrëmja muzikore e artistëve të ardhur nga Italia. Në skenën artistike në zonën muzeale ata interpretuan pjesë operistike si dhe muzikën e filmave të njohur për artdashësit

“Jam shumë e lumtur të jem këtu në Gjirokastër, në vizitën time të parë në Shqipëri, kam ngelur e surprizuar nga bukuria e vendit tuaj, është kënaqësi që shfaqim këtë koncert duke sjellë për publikun pjesë muzikore të pavdekshme nga kompozitorë si Morikone, apo pjesë operistike, artdashësit na pritën ngrohtë duke na shoqëruar vazhdimisht me duartrokitje”, tha Barbara Luccini, soprano.

“Është kënaqësi të rikthehem për herë të tretë në Shqipëri, jeni një popull që e doni kulturën, artin dhe emocionet që dhuron muzika.Koncerti i mbrëmjes së sotme i dedikohet Enio Morikones, muzikës së filmave të tij, dëshiroj të falënderoj publikun e Gjirokastrës që na mirëpriti në këtë atmosferë të ngrohtë festash”, u shpreh Aliano Fridani, pianist.

Aktivitetet kulturore do të vazhdojnë përgjatë ditëve të festave duke tërhequr edhe turistët që vizitojnë Gjirokastrën në stinën e dimrit.

 

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta