Qeveria ka miratuar ngritjen e një Task-Force kombëtare dhe një Skuadre të veçantë organizimi për përgatitjen e Samitit të NATO-s që do të mbahet në Tiranë në vitin 2027.
Task-Forca do të drejtohet nga Kryeministri, ndërsa në mungesë të tij nga Koordinatori Kombëtar.
Kjo Task-Forcë përfshin ministrat kryesorë, drejtues të institucioneve të sigurisë, përfaqësues të Kryeministrisë dhe sekretarë të përgjithshëm të ministrive të lidhura me logjistikën, sigurinë, financat, turizmin, shëndetin dhe infrastrukturën.
Task-Forca do të vendosë për detyrat, agjendën, masat e sigurisë dhe buxhetin e Samitit, si dhe do të përgatisë planin e plotë të veprimit për zhvillimin e tij.
Skuadra Kombëtare e Organizimit do të funksionojë nën Task-Forcën e krijuar, e cila do të merret me detajet teknike: sigurinë e delegacioneve, vendet e aktiviteteve, transportin, akomodimin, mbulimin mediatik dhe sigurinë kibernetike.
Në këtë skuadër bëjnë pjesë policia, ushtria, Garda, SHISH, strukturat e IT-së, aviacioni civil, ARRSH, Bashkia Tiranë dhe disa agjenci shtetërore.
Të dy strukturat do të raportojnë periodikisht tek Kryeministri dhe Këshilli i Ministrave mbi ecurinë e përgatitjeve.
VKM:
NGRITJEN E TASK-FORCËS DHE TË SKUADRËS KOMBËTARE TË ORGANIZIMIT PËR SAMITIN E NATO-S, TIRANË, 2027
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Ngritjen e Task-Forcës – Host Nation Task Force (HNTF) dhe të Skuadrës Kombëtare të Organizimit për Samitin e NATO-s, Tiranë, 2027.
- Task-Forca kryesohet nga Kryeministri dhe, në mungesë të tij, nga Koordinatori Kombëtar për organizimin e samitit, i emëruar me urdhër të Kryeministrit. Task-Forca ka në përbërje këta anëtarë:
- a) Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme;
b) Ministrin e Mbrojtjes;
c) Ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor;
ç) Përfaqësuesin e kabinetit të Kryeministrit;
d) Sekretarët e Përgjithshëm:
- të Ministrisë së Punëve të Brendshme;
ii. të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme;
iii. të Ministrisë së Financave;
iv. të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë;
v. të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit;
vi. të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale;
vii. të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit;
viii. të Ministrisë së Mbrojtjes.
- dh) Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura;
e) Drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit;
ë) Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë së Prokurimit Publik;
f) Drejtorin e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare.
- Task-Forca mbështetet në veprimtarinë e saj nga një sekretariat teknik, që ngrihet pranë dhe nën përgjegjësinë e Ministrisë së Mbrojtjes.
- Në mbledhjet e HNTF-së mund të ftohen, sipas nevojës, përfaqësues të institucioneve të tjera publike, si edhe ekspertë vendas ose të huaj, në varësi të çështjeve që diskutohen.
- Host Nation Task Force është organ vendimmarrës për përcaktimin e detyrave dhe të përgjegjësive institucionale në funksion të organizimit të Samitit dhe ka këta objektiva:
- a) Të përcaktojë agjendën dhe programin politik e teknik të punës së Samitit;
b) Të shqyrtojë e të miratojë aktet, veprimet dhe kërkesat operacionale të propozuara nga Skuadra Kombëtare e Organizimit;
c) Të propozojë për miratim pranë Këshillit të Ministrave, nëpërmjet ministrit të Mbrojtjes, “Planin gjithëpërfshirës të veprimit për organizimin dhe mbarëvajtjen e Samitit të NATO-s, Tiranë, 2027”, duke përcaktuar:
- hapat dhe masat e planifikimit;
ii. nevojat infrastrukturore, logjistike dhe institucionale;
iii. procedurat tekniko-juridike dhe instrumentet financiare;
iv. detyrat e detajuara për çdo strukturë.
ç) Të vlerësojë kostot e organizimit e të propozojë, nëpërmjet ministrit përgjegjës për financat, buxhetimin përkatës në Këshillin e Ministrave;
d) Të marrë masat për dislokimin e dispozitivit ushtarak dhe mbrojtës, në bashkërendim me strukturat ushtarake aleate.
- Nën varësinë e HNTF-së ngrihet Skuadra Kombëtare e Organizimit (National Organization Team – NOT), e cila kryesohet dhe funksionon nën përgjegjësinë e Koordinatorit Kombëtar, si dhe përbëhet nga:
- a) drejtori i Protokollit të Shtetit;
b) drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare;
c) drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit;
ç) drejtori i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura;
d) komandanti i Gardës së Republikës;
dh) drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit;
e) përfaqësuesi i Shërbimit Informativ të Shtetit;
ë) përfaqësuesi i Kabinetit të Kryeministrit;
f) drejtori i Protokollit të Kryeministrit;
g) drejtori ekzekutiv i Autoritetit të Aviacionit Civil;
gj) drejtori i Përgjithshëm i Albcontrol-it;
h) drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar;
i) drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike;
j) drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar;
k) drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile;
l) drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë për Media dhe Informim;
ll) drejtori i Përgjithshëm i Çështjeve Politike dhe Strategjike në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme;
m) drejtori i Drejtorisë së NATO-s dhe Çështjeve të Sigurisë në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme;
n) përfaqësuesi i Bashkisë Tiranë.
- Anëtarët e Skuadrës Kombëtare të Organizimit ushtrojnë përgjegjësinë e koordinatorëve kombëtarë sektorialë për fushat përkatëse.
- Mbledhjet e Skuadrës Kombëtare të Organizimit thirren nga kryetari sa herë që vlerësohet e nevojshme.
- Kryetari ka të drejtë të thërrasë mbledhje të natyrës teknike me pjesëmarrje më të kufizuar, në varësi të problematikave/çështjeve që do të diskutohen dhe të konfidencialitetit.
- Në mbledhjet e Skuadrës Kombëtare të Organizimit mund të ftohen përfaqësues të institucioneve të tjera publike, enteve private dhe ekspertë vendas e të huaj, në varësi të problematikave që do të trajtohen.
- Skuadra Kombëtare e Organizimit është përgjegjëse për bashkërendimin me Task-Forcën e Samitit të NATO-s në Bruksel, me Misionin e Përhershëm të Shqipërisë në NATO, si dhe me task-forcat e vendeve pritëse të samiteve paraardhëse.
- Detyrat e Skuadrës Kombëtare të Organizimit përfshijnë vlerësimin dhe propozimin e masave sektoriale për:
- a) sigurinë e delegacioneve dhe të personaliteteve shtetërore;
b) përcaktimin e vendeve të zhvillimit të Samitit, eventeve dhe aktiviteteve
ndihmëse;
c) akomodimin e delegacioneve dhe të trupave shoqëruese;
ç) transportin ajror, rrugor e logjistikën;
d) mbulimin mediatik dhe komunikimin publik;
dh) aspektet teknike, digjitale dhe të sigurisë kibernetike;
e) çdo detyrë tjetër specifike që lidhet me organizimin e Samitit me miratimin e Host Nation Task Force.
- Koordinatori Kombëtar mbështetet në detyrën e tij nga një shtab i përhershëm, i përbërë nga personel civil e ushtarak, që ngrihet me urdhër të ministrit të Mbrojtjes.
- Personeli civil dhe ushtarak vendoset në dispozicion me kohë të plotë nga institucionet shtetërore.
- Ministria e Mbrojtjes, sipas nevojave të Koordinatorit Kombëtar, mund të punësojë specialistë dhe ekspertë në të gjitha fushat që lidhen me organizimin e zhvillimin e Samitit.
- Shtabi i Përhershëm ushtron funksionet e tij në mjediset e përgatitura posaçërisht pranë Ministrisë së Mbrojtjes, garnizoni “Skënderbej”, Tiranë.
- Host Nation Task Force paraqet periodikisht pranë Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave raporte për ecurinë e përgatitjeve, si dhe rekomandime për vendimmarrje ndërsektoriale e financiare.
- Ngarkohen institucionet që janë pjesë e Task-Forcës – Host Nation Task Force (HNTF) dhe të Skuadrës Kombëtare të Organizimit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
Top Channel