PD bën gati kallëzimin penal për Peleshin, Bardhi: Ka tejkaluar çdo limit duke keqpërdorur firmat e deputetëve të Kuvendit

12/12/2025 16:16

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi, ka akuzuar Kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, për shpërdorim detyrë dhe falsifikim të akteve parlamentare, lidhur me procedurën e zgjedhjes së kandidaturës për Avokat të Popullit.

Sakaq ai dhe ka bërë me dije se Partia Demokratike do të depozitojë kallëzim penal ndaj kryeparlamentarit Peleshi.

Nëpërmjet falsifikimit të akteve parlamentare, Niko Peleshi i paraqiti dje Kuvendit të Shqipërisë për votim si kandidat të rrejshëm për Avokat të Popullit një njeri që nuk kishte mbështetjen me firmë të vlefshme të asnjë deputeti të vetëm, jo më të 28 deputetëve siç ligji kërkon për hedhjen në votim. Pikërisht duke shpërdoruar detyrën, Kryetari i Kuvendit përmbushi ambicien e sëmurë të Edi Ramës për të kapur çdo pushtet, përfshirë institucionin e fundit kushtetues që nuk ishte nën kontrollin e qeverisë.

Mirëpo këtë herë Kryetari i Kuvendit ka tejkaluar çdo limit, duke keqpërdorur firmat e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë që ishin tërhequr nga propozimi i projektvendimit përkatës. Askush nuk mund të përdor jashtë vullnetit të tyre nënshkrimet/propozimet e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.

Prandaj sot, kam autorizuar menjëherë ekipin ligjor të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike që të përgatisë kallëzim penal për “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim të dokumenteve” parlamentare në bashkëpunim për Kryetarin e Kuvendit Niko Peleshin, dhe çdokënd tjetër që ka rol në këtë akt të paprecedent të Kuvendit. Ndërkohë që do të kërkoj nga grupi parlamentar autorizimin përkatës për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të verifikuar zgjedhjen e Avokatit të Popullit përmes një procedure parlamentare tërësisht të paligjshme.

Grupi Parlamentar i PD ka qenë dhe mbetet i vendosur që zgjedhja e organeve kushtetuese duhet të bëhet sipas një procedure transparente, gjithëpërfshirëse dhe që garanton pavarësinë e këtyre institucioneve, sikurse Raport Progresi i Komisionit Europian nënvizon. Vetëm kështu Shqipëria është në rrugën e duhur drejt Bashkimit Europian. Përndryshe provohet se kemi kaluar edhe zyrtarisht në një parti-shtet!”, shkruan Gazment Bardhi në postimin e tij në Facebook.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta