“Në koncertin e madh të lirisë që përjetoi e gjithë bota lindore ish-komuniste, shqiptarët marrin pjesë me aktet e tyre, me aktet e njerëzve të thjeshtë”.
Në Godinën Liria, aty ku 35 vite nisi revolta e studentëve kundër diktaturës komuniste, studiuesi Preç Zogaj mblodhi një bashkëbisedim protagonistët e ngjarjeve të viteve 90-92, të cilët ai i përmend me emra në librin e tij “Fillimet”.
Goditjen e parë, regjimi e mori në Shkodrën antikomuniste, me rrëzimin e bustit të Stalinit në 14 janar 1990.
Gjergj Livadhi, organizator i revoltës së janarit 1990 në Shkodër tha: “Lëvizëm lagje më lagje për të thënë për të thënë se në orën 15:00 në datën 14, ka demonstratë. Nuk ishte çështja vetëm për rrëzimin e bustit të Stalinit, çështja ishte më e thellë, do të flitej për ekonominë. Atë kryengritje e bëri populli i Shkodrës, u dënua 10 veta dhe arrestuan 630 të tjerë”.
Beteja vijoi në Kavajën, që e kishte filluar dhe vazhduar vetëm kryengritjen e saj. Protesta e parë më e fuqishme antikomuniste në vend nisi në 25 mars gjatë ndeshjes Besa-Partizani.
Rexhep Rugeja, organizator i revoltës së parë masive antikomuniste në vend u shpreh: “Unë nuk prita minutat e fundit, u ngrita mbi hekurat rrethues të fushës, hodha veprën e Enverit dhe me dy gishtat lart shpërtheva me të gjithë fuqinë e shpirtit ‘Liri demokraci’, ‘Enver, Hitler’, ‘Poshtë diktatura komuniste’”.
Ndërkohë, pas hapjes së ambasadave më 2 korrik 1990, ishte pikërisht ikja e Kadaresë, me 24 tetor të po atij viti, që do trondiste themelet e regjimit komunist dhe do të përshpejtonte nisjen e lëvizjes demokratike studentore.
“Me lajmin për arratisjen e Ismail Kadaresë, ne brohoritëm të tërë pa zë, u kuptua që shenjat e lirisë sapo ishin dhënë”, tha Vera Bekteshi.
Hapi vendimtar u ndërmor nga një grup studentësh dhe pedagogësh në 8 dhjetor 1990, që u bënë iniciatorë të protestive që çuan në përmbysjen e regjimit.
Arben Demeti, protagonist i ngjarjeve të dhjetorit – Ishte një grup i jashtëzakonshëm, shumë i mirë, që arriti të bëjë një mrekulli në atë kohë. Përmbysi partinë e punës.
“Erdhëm nga dashuria, erdhëm nga dhimbja, erdhëm nga patriotizmi për të ndryshuar atë realitet që nuk e pranonim në esencën njerëzore. Dhe të hënën, djali im, Egini, që ishte në vitin e parë në gjimnaz, u çua të shkonte në shkollë pa çantë, u kuptua që do vinte në Qytetin Studenti. Aty e kuptova që fëmija u bë burrë”, u shpreh Neritan Ceka.
Lëvizja Studentore u udhëhoq nga Azem Hajdari që la pas familjen drejt një misioni atdhetar, vendosjen e pluralizmit politik.
Fatmira Hajdari, e veja e Azem Hajdarit tha: “Më thotë mua ‘ne bashkë do të ndahemi, i kam hyrë një rruge tjetër dhe nuk e di si do më marrë, për mirë apo për keq’. Iku për Tiranë, prisja lajmin a është gjallë apo vdekur. Me këtë ankth kam ndenjur derisa ka ndërruar jetë Azemi, e prisja me sy hapur derisa të vinte në shtëpi. Njeriu që i shpëtoi pesë atentateve, Azemi ka qenë. Edhe në çastet e fundit, ka thënë për mua mos kërkoni gjak, sepse ‘gjaku im është i Partisë Demokratike, është i themeleve të demokracisë’”.
Si dëshmitar dhe si autori i librit që hedh dritë mbi dy vitet që sollën demokracinë, Preç Zogaj theksoi se brezat duhet ta dinë se Shqipëria e bëri vërtetë betejën e saj për liri dhe demokraci dhe protagonistët e kësaj beteje duhet të brendësohen në kujtesën tonë të përbashkët.
Top Channel