35-vjetori i themelimit të PD, vajza e ish-presidentit Nishani: Jemi brezi që ka fluturuar drejt Europës pa viza

11/12/2025 19:14

Në 35-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike ka mbajtur fjalën edhe vajza e ish-presidentit Bujar Nishani.

Fiona Nishani, u shpreh se sot, më 11 dhjetor demokracia nuk është dhuratë, por detyrë. Vajza e ish-presidentit theksoi se liberalizimi i vizave ishte çelësi që hapi dyert e mundësive, universiteteve, njohjeve dhe kulturave të reja

“Sot kujtojmë 35-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike, një ditë që ndezi dritën e shpresës për një Shqipëri të lirë pas dekadash errësire komuniste. Më 11 dhjetor 1990, zëri i guximshëm i studentëve, intelektualëve dhe punëtorëve të Shqipërisë sfidoi frikën dhe izolimin, duke hapur rrugën drejt demokracisë.

Për mua, ky përvjetor është shumë i rëndësishëm. Jam pjesë e një familjeje ku politika ka qenë gjithmonë frymëzim, debat dhe pasion. Brezi im është rritur në një realitet ku arritjet e Partisë Demokratike kanë lënë gjurmë të drejtpërdrejta në jetën e secilit prej nesh.

Ne jemi brezi që ka fluturuar drejt Europës pa viza, një ëndërr që u bë realitet falë qeverisjes së PD-së. Liberalizimi i vizave ishte çelësi që hapi dyert e mundësive, universiteteve, njohjeve dhe kulturave të reja. Ndoshta ishte dhurata më e bukur që politika shqiptare u ka bërë të rinjve.

Ne jemi brezi që është rritur i sigurt nën ombrellën e NATO-s. Anëtarësimi në NATO nuk ishte thjesht një firmë në një dokument; ishte garancia se e ardhmja jonë do të ishte më e sigurt se e kaluara e hidhur.

Të gjitha këto tregojnë se, kur PD ka qenë në krye të vendit, Shqipëria ka ecur përpara në liri, në drejtësi, në integrim dhe në zhvillim.

Por sot, në 35-vjetorin e saj, Partia Demokratike ka nevojë më shumë se kurrë për ne, të rinjtë. Për energjinë, idetë dhe pastërtinë tonë morale. Ka nevojë për të rinj që nuk dorëzohen, që nuk e pranojnë padrejtësinë si normalitet, që nuk e pranojnë largimin si zgjidhje.

Sot, 11 dhjetori, na kujton se demokracia nuk është dhuratë, por detyrë. Na kujton se shpresa nuk duhet humbur kurrë, sepse ajo lindi pikërisht në momentet më të vështira.

Gëzuar 35-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike”, u shpreh ajo.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta