Një grup fëmijësh të moshës 12–14 vjeç kanë kthyer një lagje të Shkodrës në zonë të frikës, duke goditur, kërcënuar dhe grabitur banorët.
Ndërkohë, policia thotë se “janë minorenë dhe nuk mund të mbahen”, shkolla deklaron se “nuk ka probleme në ambientet e saj”, ndërsa nëna e njërit prej djemve shpërthen: “Jam dorëzuar, çfarë të bëj më? Le ta fusin në burg.”
Në redaksinë e “Fiks Fare” ka mbërritur një ankesë e fortë prej disa personash, ku një grup të miturish janë kthyer në tmerr për banorët e zonës. Sipas denoncuesve, fëmijët godasin këdo që nuk u jep para dhe policia edhe kur ndërhyn, detyrohet t’i lirojë menjëherë.
Një i ri, viktimë e këtij grupi, rrëfen se është qëlluar dhe i janë kërkuar para me forcë.
“Më rrethuan, më goditën dhe më detyruan t’u jepja para. Shkova në polici, por më thanë se nuk kanë çfarë të bëjnë sepse janë minorenë. Kam frikë se do të përfundojë ose unë, ose ata. Kërkova ndihmën e Fiksit që të mos shkojmë në pika ekstreme.”
Ky i ri takohet edhe me një qytetar tjetër, i cili po ashtu është sulmuar nga i njëjti grup.
“Më goditën në kokë. Erdhën policët, i mbajtën një orë dhe i lanë të lirë. Po vazhdojnë të godasin njerëz të tjerë. Jemi të pambrojtur.” Thotë një tjetër banorë i Shkodrës.
Denoncuesi i parë dinte vetëm emrin e njërit prej djemve 14 vjeç, nxënës i një shkolle 9-vjeçare në Shkodër. Gazetarët takuan nënën e tij, e cila, mes lotësh, pranon se djali është futur në shoqëri të keqe dhe ka dalë jashtë kontrollit.
“Kam tre fëmijë. Jam e divorcuar dhe punoj gjithë ditën. Nuk kam çfarë bëj më! Djali vjen vonë, nuk më dëgjon, ka probleme me shumë njerëz. Kam shkuar në polici disa herë, u kam thënë ‘futeni në burg” thotë e ema e të miturit
Ajo shton se problemet nuk vijnë nga shkolla, por nga shoqëria e rrugës, ku ka edhe të rritur edhe minorenë.
Gazetarët e “Fiks Fare” shkuan në shkollën ku mëson i mituri. Stafi nuk lejoi hyrjen në ambientet e brendshme, por drejtoresha, në një komunikim telefonik, tha se: Nxënësi vjen rregullisht në mësim, nuk ka krijuar problem brenda shkollës ,psikologia dhe drejtoria janë në dijeni të sjelljes së tij jashtë shkollës dhe rasti po ndiqet.
Gazetarët kontaktuan edhe me specialistin e zonës (SPZ), i cili konfirmoi se i mituri paraqitet shpesh në komisariat.
“Vjen çdo muaj, ndonjëherë edhe më shpesh. Duke qenë minoren, procedurat janë më të kufizuara. Merremi me këshillim, me punonjës socialë dhe psikologë për të sheshuar rastin.” Sqaron SPZ-ja.
Burime të tjera në komisariat pranojnë se situata është e vështirë, por që u janë “lidhur” duart pasi kemi të bëjmë me minorenë.
Rasti nxjerr edhe një herë në pah boshllëkun mes ligjit për të miturit dhe realitetit të përditshëm, kur fëmijë 12–14 vjeç bëhen autorë të dhunës, askush nuk ka mjetet ligjore dhe institucionale për t’i ndalur. Ndërkohë, banorët e Shkodrës thonë se po jetojnë me frikë dhe pasiguri.
Top Channel