Miratohet buxheti në Komisionin e Ekonomisë/ 60 amendamentet e opozitës u rrëzuan, konfirmohet rialokimi i fondeve për 12 institucione Dhoma Amerikane e Tregtisë ka dalë kundër dy projektligjeve të rëndësishme të paqes fiskale që pritet t’u falin mbi 2 miliardë euro detyrime, gjoba e kamatëvonesa bizneseve debitore në Shqipëri.
Teksa bizneset investitore nuk janë ftuar për konsultim nga institucionet, Presidenti i Dhomës, Neritan Mullaj, kërkoi një përgjigje të drejtpërdrejtë nga drejtori i Tatimeve për projektligjet që sipas tij nxisin një sistem tolerant dhe jo të balancuar.
“Për ne është e rëndësishme të kemi koordinim me zyrën e tatimeve. Por përpara se unë të vijoj me pyetje-përgjigje nga biznesi, do doja një konsideratë për implementimin e paketës së paqes fiskale. Na jepni një konsideratë sesi do të zbatohet. Pavarësisht se nesër do miratohet nen për nen.”, shprehet Neritan Mullaj, president i Dhomës Amerikane të Tregtisë.
“Në lidhje me paqen ne presim draftin final të ligjit. Mënyrën sesi do të implementohet me Ministrinë e Financave. Sikurse e përmenda, paqja fiskale është një premtim gjatë fushatës. Është një qasje për të ndihmuar biznesin, i cili ka kërkuar të mos kontrollohet nga administrata tatimore dhe janë gati të pranojnë kushtet e shtetit për të paguar këto detyrime”, thotë Ilir Binaj, drejtor i përgjithshëm i tatimeve.
Në një reagim zyrtar për Top Channel, Dhoma Amerikane thekson se as administrata tatimore dhe as Ministria e Financave nuk kanë zhvilluar konsultime publike me bizneset e huaja, duke i lënë jashtë diskutimeve për politikat që prekin drejtpërdrejt investimet e tyre. Sipas tyre, transparenca dhe bashkëpunimi institucional mungojnë, ndërsa propozimet e paqes fiskale po marrin dritën jeshile pa dëgjuar komunitetin e investitorëve.
“Sistem tatimor të balancuar, luftë ndaj informalitetit, kjo është motoja jonë kryesore.”, shton Mulllaj.
Jo vetëm për paqen fiskale, Dhoma Amerikane ka shprehur një sërë ankesash edhe ndaj punës së administratës tatimore me bizneset e huaja, duke shfaqur mungesë informacioni, komunikimi dhe transparence, duke penguar kështu punën e subjekteve të huaja në Shqipëri.
“Ajo që anëtarët e dhomës kanë nënvizuar me forcë është komunikimi me administratën tatimore, kthim përgjigjesh në kohë dhe me përgjigje që nuk janë të qarta dhe specifike. Është një detyrë e tatimeve të nxjerrin vendime teknike për problematika. Në ëebsite e DPT nuk ka përditësime të çështjeve gjyqësore që janë marrë që nga 4-5 vitet e fundit. Pjesa e dytë ka lidhje me punën reale të administratës tatimore. Anëtarët kanë kërkuar të bëhet një hap madhor jo vetëm në bërjen e ligjeve të mira, por edhe me ngritjen e një fryme në DPT me qëllim realizimin e implementimit e ligjit si në vendet europiane. Ligji për TVSH i harmonizuar, praktika e administratës tatimore është e gabuar. Së pari, rimbursimi i TVSH-së në turizëm apo industri të tjera – dihet, investitori… administrata tatimore gjen për të mos e rimbursuar, duke i shtuar biznesit kosto financimi 20%. Kjo është një barrë e rëndë dhe ne presim që të kemi investime të reja. Rasti i dytë, i shitjeve nën kosto: praktika, pavarësisht se ligji ynë për TVSH është në përputhje dhe sqaron që rivlerësimi për shitjet nën kosto – këtë thotë direktiva e BE dhe gjykata europiane – praktika e administratës tatimore është në kundërshtim. Rasti më i fundit: penalizimi i subjekteve që operojnë në tregtimin e energjisë elektrike; janë penalizuar duke paguar shuma të mëdha detyrimesh për shkak se nuk kanë arritur të shesin energjinë me çmimin e blerjes. Mbetet që qëndrimi i administratës tatimore të jetë i qartë. Çështja e tretë: anëtarët kanë ankesa në vonesat për aplikimin e marrëveshjes tatimore; praktika ka ndryshuar në kohë, drejtori e përmendi që nuk kemi një sistem elektronik. Çështjet e tjera janë specifike teknike.”, deklaroi Alketa Uruçi, Dhoma Amerikane e Tregtisë.
Projektligji për shlyerjen e detyrimeve tatimore dhe doganore, që pritet të falë mbi 2 miliardë euro detyrime, gjoba e kamatëvonesa, si dhe projektligji për marrëveshjen e paqes fiskale, që do t’u japë mundësi bizneseve të ndërhyjnë në pasqyrat financiare të 3 viteve të fundit, ka marrë dritën jeshile në komisione dhe pritet të votohet në 11 dhjetor në seancën plenare, ndërsa mendimi i bizneseve ende nuk është marrë.
Top Channel