Tregu i IT në Shqipëri, studimi i AADF: Mungojnë talentet dhe kërkohen profesionistë me përvojë

09/12/2025 19:52

Tregu i punës në fushën e teknologjisë duket se është maturuar në Shqipëri, teksa numëron rreth 23 mijë profesionistë në rang vendi, nga të cilët 90% e tyre punojnë në privat dhe baza e më shumë se 80% e punonjësve është Tirana.

Një studim i Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim mbi zhvillimin e këtij sektori dhe sfidat aktuale, nxjerr në pah se gati 50% e kompanive që operojnë në territorin shqiptar eksportojnë shërbimet e tyre jashtë.

Analisti i AADF, Erblin Maçi thotë: “Një sektor që ka rritje, por mund ta quajmë të pjekur tanimë, me një rritje më modeste prej 5% në vit. Tregu ka kërkesa, ka një rritje të vazhdueshme të pagave. Kompanitë pretendojnë që vështirësia më e madhe është presioni nga stafi për rritje të shpeshta pagash, megjithëse më shumë se gjysma e tyre tregojnë se i kanë rritur pagat në 12 muajt e fundit. Duket se nuk është aq e vështirë për kompanitë që të punësojnë profesionistë, sepse koha mesatare për të plotësuar një vend bosh është 3.1 muaj.”

Ndonëse teknologjia mbetet preferenca kryesore në aplikimet e të rinjve për studimet universitare, studimi i AADF zbulon se mbi 36% e sipërmarrjeve në fushën e ICT raportojnë vështirësi në punësimin e talenteve, sidomos në fushën e sigurisë kibernetike dhe inteligjencës artificiale.

“Po kërkojnë më tepër punonjës të nivelit të mesëm dhe të lartë, pra jo punonjës që sapo dalin nga bankat e shkollës. Ju duhet një profil kandidati me një eksperiencë rreth 5-vjeçare, dikush që ka njohuri shtesë në krahasim me çfarë ka marrë nga institucionet arsimore. Konkluzioni është që duhet t’i aftësojnë edhe vetë që t’i përshtasin me nevojat e biznesit të tyre”, shton Erblin Maçi

Tendencat e tregut në sektorin e teknologjisë përqendrohen te inovacioni dhe siguria digjitale. Me rëndësi shihet edhe fakti se miti se ky profesion u përket meshkujve po rrëzohet.

Erblin Maçi thotë se: “Kërkesa kryesore e kompanive në sektorin e teknologjisë është kryesisht për zhvillues programesh, siguri kibernetike apo inteligjencë artificiale. Zhvilluesit e programeve përbëjnë rreth 44% të punësuarve në këtë sektor dhe gati 60% e tyre janë femra.”

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta