Zjarri vdekjeprurës shkaktoi zemërim në vend, Hong Kongu shkon në zgjedhje për anëtarët e Këshillit Legjislativ

07/12/2025 09:45

Banorët e Hong Kongut po votojnë në zgjedhje që konsiderohen si një provë e ndjenjës publike pas një zjarri vdekjeprurës që ka shkaktuar zemërim në qytet.

Qeveria ka nisur një fushatë të gjerë për të inkurajuar qytetarët të zgjedhin anëtarët e Këshillit Legjislativ , ndërsa të gjithë kandidatët janë verifikuar për besnikëri ndaj Kinës.

Zgjedhjet zhvillohen në një periudhë zie, pas zjarrit të muajit të kaluar në Tai Po, i cili vrau gati 160 persona. Ditët e fundit, autoritetet kanë shpërndarë ndihma për të mbijetuarit, kanë arrestuar të dyshuar dhe janë zotuar të përmirësojnë sigurinë në ndërtesa, ndërsa banorët shtrojnë pyetje për mënyrën si ndodhi tragjedia.

Sipas ‘BBC’, në garë janë 161 kandidatë për 90 vende në Këshillit Legjislativ, i cili funksionon si një miniparlament me fuqinë për të nxjerrë dhe ndryshuar ligje. Këto janë zgjedhjet e dyta që nga vitit 2021, kur Pekini ndryshoi sistemin zgjedhor të Hong Kongut në mënyrë që vetëm “patriotët” të mund të kandidonin. Sipas Kinës, ndryshimet ishin të nevojshme për stabilitet pas protestave të 2019-s, ndërsa kritikët thonë se ato dobësuan demokracinë.

Zgjedhjet e fundit pas reformave panë pjesëmarrjen më të ulët historike, vetëm 30%, për shkak të apatisë së votuesve. Për këtë vit, qeveria ka mbuluar qytetin me postera që u bëjnë thirrje qytetarëve të votojnë dhe ka ofruar dhurata e zbritje për blerje. Çdo votues do të marrë një “kartë falënderimi”, e cila mund të përdoret për kuponë në dyqane, restorante, shërbime bukurie, kontrolle mjekësore dhe prime sigurimesh.

Autoritetet po ofrojnë gjithashtu hyrje falas në pishina publike dhe muze, kanë organizuar karnavale në lagje të ndryshme dhe do të mbajnë një shfaqje estrade e gala të transmetuar në televizion. Janë krijuar maskota vizatimorë dhe një melodi zgjedhore, e adaptuar nga një hit i Aaron Kwok i vitit 2001, me titullin “Le të Votojmë, Së Bashku Krijojmë të Ardhmen”.

Kryesekretari Eric Chan tha muajin e kaluar se këto masa synonin krijimin e “një atmosfere festive” dhe rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e zgjedhjeve.

Por vëmendja e qytetit është përqendruar te zjarri i 26 nëntorit që përfshiu blloqet e banimit Wang Fuk Court në Tai Po. Ishte zjarri më i rëndë në Hong Kong në mbi 70 vjet. Numri i të vdekurve, aktualisht 160, pritet të rritet pasi ekipet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë punën.

Disa banorë pyesin nëse tragjedia mund të ishte parandaluar dhe vënë në dyshim standardet e sigurisë në ndërtesa, pasi shumë jetojnë në goditna të vjetra të ngjashme me Wang Fuk Court. Autoritetet kanë ngritur një komision të pavarur hetimor dhe kanë arrestuar 13 persona për vrasje të dyshuar. Është urdhëruar gjithashtu heqja e rrjetave të skelave në të gjitha ndërtesat, pasi hetimet zbuluan se rrjeta e përdorur në Wang Fuk Court nuk ishte rezistente ndaj flakës dhe ndihmoi përhapjen e zjarrit.

Autoritetet kanë vepruar edhe për të shtypur mospajtimet. Policia thuhet se të shtunën arrestoi një burrë që kërkonte një hetim të pavarur, për dyshime për kryengritje, ndërsa peticioni i grupit u fshi nga interneti. Dy persona të tjerë, përfshirë një ish-këshilltar të rrethit, u arrestuan po ashtu.

Fushata politike për zgjedhjet e KL u pezullua menjëherë pas zjarrit, megjithëse forumet e debatit të organizuara nga qeveria rifilluan pas disa ditësh. Karnavalet zgjedhore janë anuluar gjithashtu.

Shefi ekzekutiv John Lee ka këmbëngulur që zgjedhjet të vazhdojnë siç ishte planifikuar, duke thënë se “duhet të ecim përpara dhe ta shndërrojmë hidhërimin në forcë”. Ai beson se ligjvënësit e rinj do të kontribuojnë shpejt në rindërtim dhe reforma.

John P. Burns, profesor dhe ekspert i politikës kineze në Universitetin e Hong Kongut, tha se qeveria do ta interpretonte një pjesëmarrje të lartë si provë që votuesit e perceptojnë sistemin e ri politik si “relativisht legjitim”. Por ai pret pjesëmarrje të ulët, pjesërisht për shkak të zjarrit dhe faktit që shumica e banorëve tradicionalisht mbështesin opozitën pandemokrate, të cilës tani i ndalohet pjesëmarrja në zgjedhje.

Disa votues pro-establishment mund të motivohen nga reagimi i shpejtë dhe ndihma bujare e qeverisë ndaj viktimave të zjarrit. Por të tjerë mund të qëndrojnë larg votimeve nga zhgënjimi apo zemërimi për problemet e qeverisjes që u bënë të dukshme pas tragjedisë.

Këtë javë, Zyra e Sigurisë Kombëtare ripostoi një koment nga media pro-Pekinit që u bënte thirrje qytetarëve të votonin për të treguar mbështetje për përpjekjet e rindërtimit: “Ndërtimi i një të ardhmeje të mirë së bashku fillon me këtë votim. Nëse e doni vërtet Hong Kongun, duhet të votoni sinqerisht.”

Zgjedhjet e këtij viti do të sjellin shumë fytyra të reja, pasi rreth një e katërta e ligjvënësve aktualë do të largohen. Mediat lokale raportojnë se Pekini ka ushtruar presion që disa anëtarë të vjetër të dalin në pension, duke vendosur jozyrtarisht një kufi moshe. Disa nga ata që po largohen janë mbi 70 vjeç, përfshirë politikanen e njohur Regina Ip, një ish-shefe sigurie e quajtur “Zonja e Hekurt”.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta