Botërori i 2026 që do të mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada dhe ku do të marrin pjesë 48 skuadra, numri më i lartë në historinë e Kupës së Botës, tashmë ka marrë formë me shortin e hedhur këtë të premte, ku disa grupe janë më të fortë e disa më të lehtë për skuadrat pretendente.

Por një prej këtyre grupeve duket se është më i vështiri dhe bëhet fjalë për Grupin I që shumë e kanë përcaktuar si ‘grupi i vdekjes’. Aty është një prej skuadrave koka serie e këtij shorti, Franca e Kylian Mbappe

Skuadra e drejtuar nga Didier Deschamps do të përballet me Senegalin, Norvegjinë dhe skuadrën fituese të playoffit intercontinental 2(Irakun, Bolivinë ose Surinamin). Në këtë mënyrë, do të vihen përballë 2 prej futbollistëve më të mirë të botës që janë thirrur në apel për të dominuar futbollin në sezonet e ardhshëm; Kylian Mbappe dhe Erling Haaland

Sulmuesi i Realit të Madridit ka shënuar 25 gola dhe ka dhënë 4 asiste me klubin e tij në këtë sezon, ndërsa Haaland është në kuotën e 20 golave me Manchester City. Franca shihet si favorite për të fituar grupin apo të paktën për të kaluar në raundin me kualifikim direkt. Për vendin e dytë nëse nuk do të ketë ndonjë surprizë të madhe pritet të ketë një duel mes Norvegjisë dhe Senegalit. Skuadra skandinave nuk njeh humbje për 12 ndeshje radhazi dhe dominoi grupin e saj kualifikues ku ishte dhe Italia duke e detyruar këtë të fundit të luajë në playoff. Ndërsa Senegali është një prej kombëtareve më të mira në Afrikë dhe ka në radhët e tij futbollistë të një niveli të lartë

‘Hirushja’ e këtij grupi do të dalë nga playoffi FIFA 2, Iraku, Bolivi ose Surinami. Në dukje asnjë prej këtyre skuadrave nuk ka forcën për të mundur skuadrat e tjera por në futboll gjithcka është e mundur dhe nuk do të ishte hera e parë që do të shihnim ndonjë supersurprizë edhe në Botërorin e vitit të ardhshëm.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta