Goditje e rëndë për Realin, ylli që erdhi me bujë në verë do të mungojë për dy muaj

04/12/2025 14:42

Real Madridi ka publikuar raportin zyrtar mjekësor për Trent Alexander-Arnold, pas dëmtimit që pësoi mbrëmë në sfidën kundër Athletic Bilbaos në “San Mamés”.

Në njoftimin e klubit thuhet: “Pas testeve të kryera sot te lojtari ynë Trent Alexander-Arnold nga Shërbimet Mjekësore të Real Madridit, atij i është diagnostikuar një dëmtim muskulor në rectus femoris të kuadricepsit në këmbën e majtë. Rimëkëmbja e tij do të monitorohet.”

Sipas MARCA, mbrojtësi britanik pritet të mungojë të paktën dy muaj, duke humbur rreth dhjetë ndeshje në të gjitha kompeticionet. Ai do të jetë jashtë për takimet e Champions League kundër Manchester Cityt, Monacos dhe Benficës, gjysmëfinalen e Superkupës së Spanjës kundër Atlético Madridit (dhe një finale të mundshme), si dhe ndeshjet e La Ligas kundër Sevillas, Betisit dhe Alavésit.

Dëmtimi vjen në një moment kur Alexander-Arnold sapo ishte rikthyer në dispozicion të Xabi Alonsos, pas problemeve të mëparshme muskulore të shtatorit.

Eduardo Camavinga, i cili gjithashtu u largua i dëmtuar nga ndeshja kundër Bilbaos, duket se ka një dëmtim më të lehtë. Mesfushori francez ka pësuar një shtrembërim të lehtë në kyçin e këmbës së majtë dhe nuk është përjashtuar ende nga sfida e së dielës ndaj Celta Vigos në “Bernabéu”.

Ai do t’i nënshtrohet testeve deri të shtunën, për të vlerësuar nëse mund të jetë në dispozicion për takimin e radhës në kampionat.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta