Briken Calja shkëlqen në Kampionatin Ballkanik të Peshëngritjes që po zhvillohet në Durrës. Peshëngritësi kuqezi triumfoi në kategorinë e tij në peshën deri në 79 kg duke fituar medalje të artë në të gjitha stilet e për më tepër duke vendosur 3 rekorde ballkanike

Në stilin e shkëputjes Calja e fitoi medaljen e artë me peshën 150 kg me rekord të ri ballkanik. Ai tentoi të thyejë rekordin evropian duke provuar të ngrejë peshën 156 kg, por dështoi në të dyja këto tentativa dhe e mbylli garimin në këtë stil me 150 kg. Përsa i përket stilit të shtytjes, Briken Calja e mbylli garimin duke ngritur 185 kg, edhe në këtë rast ka medalje të artë por edhe rekord ballkanik për peshëngritësin shqiptar.

Në dygarësh, rezultati i  Briken Caljas është 335 kg duke marrë kështu edhe medaljen e tretë të artë  në këtë Kampionat Ballkanik dhe ky ishte edhe rekordi i tretë i Ballkanit. Në kategorinë deri në 79 kg garoi dhe Erkand Qerimaj, por për këtë të fundit nuk shkuan mirë gjërat në këtë kompeticion. Qerimaj nuk mundi të realizojë asnjë prej provave të tij me 151 kg dhe si pasojë nuk mori pjesë në stilin e shkëputjes për një renditje në dygarësh.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta