Kupa e Afrikës, shtyhet data grumbullimit të lojtarëve me kombëtaret, tërbohen Federatat, festojnë klubet evropiane

03/12/2025 19:34

Shpërthejnë polemikat në Kupën e Afrikës. Ky turne që do të zhvillohet në mes të sezonit(21 dhjetor-18 janar) prej kohësh është shndërruar në mollë sherri mes skuadrave evropiane dhe Federatave afrikane.

Të humbasësh futbollistët për 2 muaj për maksimumi 8 ndeshje nuk është një perspektivë shumë e mirëpritur dhe në cdo edicion të Kupës së Afrikës, data e startit të kompeticionit është objekt përplasjesh mes klubeve dhe Federatave të Kontinentit afrikan.

Edicioni i 35 i këtij kompeticioni nuk bëri përjashtim. FIFA u detyrua të dorëzohej përballë presionit të skuadrave evropiane, UEFA dhe ligave kombëtare duke shtyrë zyrtarisht datën e grumbullimit të kombëtareve për Kupën e Afrikës për në 15 dhjetor, nga 8 dhjetori që ishte në fillim. Në këtë mënyrë, klubet do të kenë në dispozicion lojtarët afrikanë edhe për një raund të fundit të kompeticioneve të UEFA përpara pushimeve dhe për një raund tjetër të kampionateve.

Një vendim ky që ka zemëruar Federatat e Konfederatës Afrikane të Futbollit, CAF që kishin programuar fillimin e grumbullimeve për në 8 dhjetor dhe kishin bërë pagesat për udhëtimet dhe akomodimet, por FIFA mbajti anën e klubeve. Megjithatë, kombëtaret afrikane dhe klubet u inkurajuan të mbajnë bisedime bilaterale për të gjetur zgjidhje individuale të përshtatshme dhe në ato raste që do të këtë mospërputhje, vetë FIFA do të ndërhyjë mes palëve. Vendimi i FIFA është në linjë me principin e përdorur edhe në Botërorin e 2022 ku periudha e grumbullimit të skuadrave ishte 7 ditë përpara kompeticionit.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta