Calja, rekord në Ballkan/ Peshëngritësi shkëlqen në kampionat, thyen rekordin ballkanik

03/12/2025 20:07

Briken Calja ka shkëlqyer në Kampionatin Ballkanik të Peshëngritjes që po zhvillohet në Durrës, duke thyer tre rekorde dhe duke fituar tre medalje ari.

Në peshën -79 kilogramë, Calja e nisi garën me 150 kilogramë në shkëputje, provë që e kaloi me sukses, duke vendosur rekordin e ri ballkanik, pas 25 vitesh.

Në shtytje ai realizoi fillimisht 180 kilogramë dhe më pas 185 në provën e tretë, duke siguruar edhe këtu vendin e parë dhe një tjetër rekord.

Në total, Calja arriti 335 kilogramë, rezultat që i siguroi rekordin ballkanik në dygarësh dhe e shpalli kampion absolut të ditës.

Ndërkohë, peshëngritësi Erkand Qerimaj nuk arriti të renditet në dygarësh, pasi nuk ia doli në tentativat e tij në stilin e shkëputjes.

Kjo nuk i zbehu arritjet e kësaj dite. Presidenti i Federatës Elez Gjoza e cilësoi ditën historike për peshëngritjen shqiptare.

Kreu i KOKSH, Fidel Ylli vlerësoi organizimin e kampionatit në Durrës si një ngjarje të rëndësishme për sportin shqiptar e më gjerë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta