Napoli ishte protagonisti absolut në ‘Gran Galà del Calcio AIC’, duke marrë çmimin si klubi më i mirë i sezonit të kaluar, ndërsa Antonio Conte u shpall trajneri më i mirë.

Scott McTominay fitoi trofeun e Lojtarit të Vitit. Skuadra kampione, e rikthyer te fitoret në kampionat kundër Atalantës dhe Romës, si edhe te triumfi në Champions ndaj Qarabagut, po udhëheq renditjen krah Milanit dhe synon të mbrojë me çdo kusht titullin.

Conte, nga skena e ceremonisë, paralajmëroi një kampionat të vështirë e shumë të balancuar: “Synimi ynë është të mbrojmë ‘Scudetton’, por nuk është e lehtë. Ka shumë skuadra të forta dhe jemi të gjithë aty për aty. Le të fitojë më i miri.”

Presidenti Aurelio De Laurentiis shtoi:

“Jam i bindur që Napoli është edhe më i fortë se vjet. Lojtarët e rinj kanë filluar të tregojnë vlerat e tyre.” Amir Rrahmani, i vetmi ‘i kaltër’ në mbrojtjen e formacionit ideal të vitit.

Në mesin e suksesit të Napolit, një nga lajmet më të rëndësishme për tifozët shqiptarë ishte prania e Amir Rrahmanit në formacionin ideal të Serisë A për sezonin e kaluar. Qendërmbrojtësi dardan ishte i vetmi lojtar i Napolit i përfshirë në mbrojtjen e formacionit të vitit, përkrah treshes së Interit: Dumfries, Dimarco dhe Bastoni.

Ky vlerësim e vendos kapitenin e Kosovës mes emrave më të mëdhenj të kampionatit italian, duke konfirmuar rëndësinë dhe stabilitetin e tij te Napoli. Rrahmani u shqua sezonin e kaluar me siguri, pozicionim perfekt dhe lidership, duke u bërë një nga shtyllat e mbrojtjes së skuadrës kampione.

Në mesfushë u përzgjodhën Barella, Reijnders dhe fituesi i çmimit kryesor, McTominay. Sulmi i formacionit të vitit përbëhet nga Kean, Retegui dhe kapiteni i Interit, Lautaro Martinez, i cili në ndeshjen e fundit shënoi një ‘dopietë’ të rëndësishme.

Lautaro deklaroi: “Kritikat janë pjesë e lojës. Jam gjithmonë i fokusuar te përmirësimi dhe te fitorja e Interit. Ky sezon do të jetë luftë deri në fund, jemi 4-5 skuadra shumë afër.”

Çmime të tjera: nga arbitrat te goli më i bukur

Doveri u vlerësua si arbitri më i spikatur.

Çmimi “Il campo giusto” i Coldiretti shkoi për Pio Esposito.

Bertola u shpall talenti më i mirë i Serie B.

Ndërkohë, goli më i bukur i sezonit u përzgjodh ai i Deiola-s ndaj Venezias, i cili mblodhi mbi 30 mijë vota.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta