“Deklaratat e Ramës për Ballukun, ndërhyrje në pavarësinë e sistemit të Drejtësisë”, grupi i PD kërkon interpelancë urgjente me kryeministrin

02/12/2025 12:29

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar interpelancë urgjente me Kryeministrin Edi Rama, lidhur me çështjen e zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Në kërkesën e firmosur nga kryetari i grupit, Gazment Bardhi, PD pretendon se Kryeministri po ndërhyn në sistemin e drejtësisë me deklaratat për Ballukun.

“Një kërkesë e tillë e Kryeministrit të Shqipërisë jo vetëm që është e pabazuar në Kushtetutë, por gjithashtu përbën një ndërhyrje të papërshtatshme në pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe synon cimentimin e kulturës së pandëshkueshmërisë në vend. Në një sjellje normale, në një vend anëtar të NATO-s dhe vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian, Kryeministri duhej të kishte propozuar menjëherë shkarkimin nga detyra të një ministri që është marrë i pandehur për abuzime në disa procedura prokurimi publik, me vlerë miliona euro, dhe kurrsesi nuk mund të sillet si zyrë avokatie për një të pandehur.”

“Ai kërkon t’i bëjë presion drejtësisë, me shpresën se do të nxjerrë jashtë binarëve kushtetues vetë Gjykatën Kushtetuese, që ekziston si garanci për kushtetutshmërinë dhe kurrsesi për pandëshkueshmërinë. Është e qartë që kjo lëvizje ka vetëm efekte politike; më saktë është mjet presioni/mesazhi politik dhe nuk synon zgjidhje juridike. Ne, deputetët e opozitës, vlerësojmë se kërkesa e Kryeministrit Edi Rama, që synon vetëm të japë mesazhin për organet e drejtësisë se e pandehura Belinda Balluku nuk është si të gjithë të pandehurit e tjerë, por gëzon mbrojtje të posaçme politike/institucionale nga Kryeministri/Këshilli i Ministrave, meriton vetëm përbuzje, si një akt antidemokratik dhe antikushtetues, veçanërisht nga vetë organet e drejtësisë, përfshirë Gjykatën Kushtetuese, e cila është përpara sprovës për të mbrojtur të drejtën për hetim të plotë, të pacenueshëm, të gjithanshëm e të papenguar nga organet hetimore.”

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta